Nurellari: Qeveria Kurti u fut në konflikt edhe me Gjykatën Kushtetuese

Prishtinë | 02 Maj 2020 | 11:27 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik Adri Nurellari në një postim në Facebook ka shkruar se Qeveria Kurti pas konfliktit me opozitën, Amerikë, presidencën  e të tjerë tani u fut  në konflikt edhe me Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij vendimet e kësaj qeverie e kanë nënvlerësuar Kuvendin e Kosovës dhe e kanë shkelur demokracinë duke  dëmtuar rëndë Kushtetutën.

Nurellari më tutje ka shkruar se vendosja e kravatave nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje është vetëm një maskë populiste dhe se kjo parti nuk ka ndryshuar.

Postimi i plotë:

“Qeveria Kurti, pasi u fut në konflikt me opozitën, aleatët strategjikë amerikanë, presidencën, administratën publike, shërbimin diplomatik, aleatët e koalicionit qeveritar si dhe pasi nëpërkëmbi e anashkaloi Kuvendin e Kosovës, u fut në konflikt edhe me Gjykatën Kushtetuese.

Vendimet e njëpasnjëshme të qeverisë së shkarkuar kanë ashkaluar e zhvlerësuar Kuvendin e Kosovës dhe shkelur Kushtetutën duke goditur njëherazi edhe demokracinë edhe sundimin e ligjit në këtë vend. Mirëpo jo vetëm që nuk manifeston pendesë e zmbrapsje për këtë cënim të rendit demokratik e kushtetues në vend, kryeministri Kurti merr guximin edhe ta kërcënojë drejtpërdrejtë institucionin e pavarur të Gjykatës Kushtetuese. Ky është një akt i ulët që shkon ndesh me parimin bazik të ndarjes së pushteteve, ku mbështetet sistemin ynë politik.

Mosrespektimi i vendimit të datës 31 mars të Gjykatës Kushtetuese dhe letra e presionit e dërguar nga kryeministri i shkarkuar, duhet parë si një vazhdimësi e sulmeve të tjera të mëparshme të ndërmarra nga Lëvizja Vetëvendosje kundër Gjykatës Kushtetuese, edhe kur pjesëtarët e saj kanë qenë të ndryshëm nga të sotshmit. Janë së paku katër aksione të ulta poshtërimi që më vijnë në mend që Vetëvendosja ka bërë ndaj Gjykatës Kushtetuese të cilat dëshmojnë se kjo parti nuk përshtatet dot me sistemin tonë demokratik të bazuar në sundimin e ligjit.

Së pari duhet kujtuar veprimi më i ulët në formën e kortezhit të funeralit me arkivol të organizuar para Gjykatës Kushtetuese me mesazhin këtu varroset demokracia. Mandej së dyti po aq veprim nëpërkëmbës ka qenë edhe hedhja e ujërave të zeza në ndërtesën e Gjykatës Kushtetuese, si manifestim i mungesës së respektit për pavarësinë e këtij institucioni. Së treti në tetor të vitit 2014 në sheshin Skënderbeu, e paraqitën kryetarin e atëhershëm të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanin, si kal që tërhiqte një karrocë. Mandej një tjetër aksion i katërt që vlen të kujtohet është rrethimi i selisë së Gjykatës Kushtetuese me shirita të verdhë të shndritshëm me slloganin “Vendi i krimit, këtu falsifikohen dokumente”.

Ky veprim është thjesht një “deja vu” i sulmeve e poshtërimeve të mëparshme që Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë Gjykatës Kushtetuese, organit të pavarur që është interpretuesi përfundimtar suprem i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me pak fjalë vendosja e kravatave dhe zbutja e gjuhës ishte thjesht një maskë populiste elektorale e kësaj force politike sepse sikurse thotë populli: “Ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron”.

Të ngjashme