Nushi: Ftesa e Kurtit për ambasadorët është skandaloze

Prishtinë | 28 Jan 2020 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Nol Nushi nga Partia Social Demokrate ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka përmbysur tërë ligjërimin e tij politik të ndërtuar për 15 vjet me ftesën e ambasadorëve të Qunit-it në negociatat me LDK-në për krijimin e Qeverisë.

“E kam ditur që do të ndryshojë, por jo kaq shpejt. Nuk e di qysh përdoret ndërhyrja e ambasadorëve përveç si presion për njërën ose tjetrën palë. Ata [Albin Kurti dhe Isa Mustafa] i kanë të gjitha rrugët e hapura për t’u marrë vesh, e vetmja pikë për t’u pajtuar ka mbetur ndarja e tortës së pushtetit. Qytetarët kanë votuar partitë politike kosovare, jo ambasadat”, ka thënë Nushi, njofton Klan Kosova.

“Skandaloze është ftesa e ambasadorëve, a marrin pjesë në takim a jo është në dorën e tyre. Kurti ka rënë në kurthin që e ka ngritur vetë tash e 15 vjet në politikë”.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, Nushi është shprehur se Kurti ka ndryshuar plotësisht qëndrim nga ato të dikurshme që ka pasur.

“Është lehtë të vërehet se cili është zhveshur nga krejt koncepti ideologjik. Kurti është zhveshur komplet nga secili parim. 3 muaj pas zgjedhjeve ende nuk e dimë se cili është programi politik i kryeministrit në tentativë. Programi është harmonizuar 100 përqind, nuk e di pse duhet të jetë sekret”.

“VV tregon se nuk e ka seriozisht pasi që ka hequr dorë nga 50 përqind e programit e tash nuk heq dorë nga një pozitë. Është quajtur “Koalicion i Shpresës”, tash shpresa është zhdukur, shpresa për ndryshime ka vdekur dhe kjo vërehet nga vetë militantët e VV. VV është subjekt totalisht i shpërfytyruar. Nuk e shohim se ku ky subjekt dallon nga një subjekt tjetër”.

Të ngjashme