Grupe nxënësish të komuniteteve të ndryshme në Mitrovicë, kanë vizituar objektet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë.
Kjo vizitë u realizua në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërinstitucional dhe qasjes aktive ndërmjet Policisë dhe organizatës joqeveritare, ‘7 arte” në kuadër të projektit multietnik të titulluar ‘E ardhmja e sigurt për të rinj’, me ç’rast grupin e nxënësve në një takim i priti edhe zëvendësdrejtori rajonal i Policisë, major Nysret Mehmeti.
Ai theksoi se aktivitetet e përbashkëta multietnike të të rinjve janë vlera universale, ku njëherit u zotua se Policia në vazhdimësi do të bashkëpunojë me OJQ dhe të rinj në fushën e edukimit, sensibilizimit, të dukurive negative, përfshirë sjelljet asociale, rreziku dhe pasojat nga substancat narkotike, si dhe krimet kibernetike.
Gjatë vizitës së nxënësve në Polici ata janë njoftuar për punën policore, hapësirat e punës në objektin policor, qendrën e komunikimit, etj, transmeton Klan Kosova.