Vizioneve rrëzëlluese të një “bote të re e të bukur” nuk është për t’iu zënë besë, paralajmëron kolumnistja e ftuar Anila Wilms. Shkrimtarja shqiptare përshkruan ankthin që i shkakton “kultura e mikpritjes” gjermane.
Gjermania është e përçarë. Një pjesë thonë, ne duhet, ne jemi të detyruar t’ia dalim kësaj pune. Pjesa tjetër thonë, ne s’duam, s’mundemi, ne kemi frikë. Ngjarjet e fillimit të verës 2015 më zunë në befasi të plotë. Ishte një tension i padurueshëm, një obsesion që m’i zuri gjithë ditët dhe më la netëve pa gjumë.
Një gjendje që e njihja mirë nga Shqipëria e viteve nëntëdhjetë dhe Lufta e Kosovës: përmbysje të mëdha, trazira dhe tentativë gjenocidi. Ishte po ajo ndjenjë e tmerrshme e prishjes së rendit, kur ke frikë se populli dhe vendi yt rrezikojnë të zhduken.
E para gjë që konstatova me njëfarë habie, ishte se unë, emigruar në Gjermani qysh në 1994, tashmë isha e lidhur pandashmërisht me vendin tim të ri. Më vinte për të qarë, më dhimbseshin njerëzit dhe peizazhet magjike të Gjermanisë, trembesha për ta.
Sepse papritur çdo gjë objektivisht e rëndësishme dukej se e kishte humbur vlerën: siguria e brendshme, mirëqenia ekonomike, deri edhe kultura gjermane. Çfarë dreqin po ndodhte? Shtëpinë tonë dikur të fortë dhe të qëndrueshme po e merrte lumi! Ku të gjej vrimë të futem?
Optimistët ndërkaq bënin festë. Flisnin për një të ardhme të ndritshme, për ndryshimet epokale që e prisnin Gjermaninë, e që ajo duhej t’i përqafonte me gjithë zemër në vend që t’u kundërvihej me kokëfortësi.
Projektonin vizionin e një bote të vëllazëruar, të lirë e të larmishme, si një ylber në qiell. Ç’fisnikëri dhe largpamësi! Veç të mos ishin këta frikacakët që na turpëruan!
Mitologjia dhe Historia
Po unë, pse përfundova në anën e pesimistëve? Unë që e kisha shijuar dhe vazhdoj ta shijoj gjer më sot mikpritjen gjermane, a s’duhet të gëzohesha në kulm për këtë festival të mikpritjes së të resë dhe të huajës?
Para se të dilja mendsh, duhet të gjeja me ngut disa përgjigje themelore. Por ku gjendet e vërteta? Në mediat që kanë rënë në histeri totale? Apo tek mitologjia, tek arketipat, që janë themeli i gjithë bëmave njerëzore? Një gjë e dija ndërkaq me siguri: Kjo që po përjetojmë s’ka lidhje me persona ose ngjarje të veçanta, kjo është një krizë kolektive, është krizë botëkuptimore.
Për më shumë, ajo nuk është vetëm gjermane. Ajo është mbarë-evropiane. Botëkuptimi evropian bazohet mbi një vizion të bashkimit që lindi në perëndim të kontinentit pas Luftës së Dytë Botërore. Për dekada të tëra, përtej fundit të Luftës së Ftohtë, ai ishte tepër i suksesshëm dhe mbante të bashkuar pas vetes shumicën e evropianëve, përfshirë edhe mua.
Mua që kam lindur dhe jam rritur në lindje të kontinentit, në kohën kur atje mbretëronte vizioni i Internacionales: ‘Botën mizore ne do ta shkatërrojmë/ që nga themeli dhe pastaj/ për veten tonë do ndërtojmë/ botën e re në vend të saj’.
Përfundimi dihet: Ideja fantastike e barazisë shoqërore dhe vëllazërimit internacional shoi miliona jetë njerëzish dhe rrënoi ekonomitë e duzina vendeve, përpara se të përfundonte në koshin e plehrave të historisë. Ka një shpjegim logjik pra, përse vizioni i Perëndimit doli fitimtar kundër vizionit të Lindjes: Sepse ishte shumë më realist se ky i fundit.
Ndryshe nga projekti socialist, që në një përpjekje sa mizore, aq dhe qesharake u rropat të krijojë ‘njeriun e ri’, vizioni perëndimor ishte i ndërgjegjshëm, se bota reale dhe natyra njerëzore janë të thyeshme dhe të papërsosura, se negociata dhe kompromisi janë të vetmet shtylla të një shoqërie të mbarë-vajtur. Shkurt, vizioni perëndimor ishte i arsyeshëm, me sy në ballë e me mend në kokë.
Gjersa erdhi kriza dhe e përçau Evropën.
Dhe më çoroditi krejt mua. Kjo eufori që u shfaq papritur në Gjermani, ky delir moralist vetëmburrës më tmerroi. Më kujtoi parakalimet e 1 Majit dhe duartrokitjet e brohoritjet e delegatëve në kongreset e partisë. Dhe, pashmangësisht, fatkeqësinë që i ra mbi kokë familjes sime nën diktaturën komuniste.
Deliri s’është kurrë i mençur, pale human e i mëshirshëm. Ideologjia është përherë abstrakte, teorike, ajo nuk do t’ja dijë për nevojat, përvojat dhe ndjenjat njerëzore. Kush e ka vuajtur në kurriz të vet, e di përse bëhet fjalë.
Por vizioni perëndimor e humbi diku gjatë rrugës vigjilencën dhe arsyen, dhe e kaloi një kufi të padukshëm. Shpirti i tij prometeik tentoi të arrijë një vlefshmëri universale. Në një farë mënyre politika evropiane desh të ngrihej në rolin e perëndisë. Në mitologji ky quhet hybris. Dhe hybrisi ndëshkohet më rreptë se çdo shkelje tjetër njerëzore, mbi të bie tërbimi më i egër i zotave. Viti që shkoi na e dha ndërkaq një provë tepër mbresëlënëse për këtë.
Perspektiva dhe ëndrra
Ka më se një vit që në Gjermani diskutohet, analizohet, reflektohet, shkruhet, polemizohet pa pushim. Unë vetë luftoj për vizionin e hershëm perëndimor, atë të mençurin, që e njoha mirë dhe që i detyrohem pafundësisht për mësimin e çmueshëm që më dha: përunjësinë e punës këmbëngulëse, të rrugës së gjatë e të mundimshme drejt njohjes. Luftoj që ai t’u rikthehet parimeve që e bënë dikur aq të suksesshëm: strukturat e qëndrueshme dhe vazhdimësinë, respektin për traditën dhe ndjenjat atdhedashëse të qytetarëve të Gjermanisë.
Duke u marrë kaq dendësisht me argumentet pro dhe kundër më lehtësohet disi barra e vuajtjes mendore e shpirtërore. Ka disa kohë që gjumin e bëj më të qetë. Debatet dhe polemikat na kanë afruar me njëri-tjetrin dhe mundësia e mirëkuptimit të ndër sjelltë po rritet. Ndërsa mua po më rritet shpresa që zotat ndoshta do të na e kursejnë dënimin e madh. Po në Evropë?
Edhe atje po lëviz diçka. Frontet e ngurtësuara po vijnë duke u zbutur. Dhe nëse Evropa bëhet më e lakueshme, rreziku i thërrmimit zvogëlohet.
Në një nga këto mëngjese pashë një ëndërr. Evropa ishte e gjitha rreth meje, e dendur dhe e ndritur. Edhe ai vendi i vogël në perëndim të Ballkanit, ku kam lindur, ishte pjesë e trupit të saj. Ishte një ndjenjë e ngrohtë prej atdheu dhe oborri shtëpie. Ishte e brishtë dhe fluturake, por unë u zgjova dhe e mbajta fort me të dy duart.
Shkrimtarja shqiptare Anila Wilms jeton në Berlin që nga viti 1994. Më 2012 doli romani i saj i parë në gjuhën gjermane: “Vajguri shqiptar ose Vrasje në Rrugën e Veriut”.