Oda Amerikane: MSA-ja nuk ndikoi në rritjen e eksporteve

Prishtinë | 07 Pri 2017 | 11:44 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA), edhe pse ka hyrë në fuqi që prej një viti, nuk ndikoi që të rriten eksportet e Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Shumica e bizneseve të prodhuese të vendit janë shprehur se kjo marrëveshje nuk ka pasur ndonjë ndikim që të rriten eksportet e tyre.

Disa prej atyre që kanë pasur eksporte, suksesin e tyre ia atribuojnë rritjes së kompanisë së tyre, ose reformave fiskale të cilat janë bërë kohëve të fundit. Këto të gjetura kanë dalë nga raporti i Odës Ekonomike Amerikane “Njëvjetori i MSA-së: Mësimet e nxjerra dhe hapat e mëtutjeshëm”, përmes anketimit të bizneseve mbi ndikimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Visar Hapçiu nga Departamenti i Politikave të Odës Amerikane prezantoi gjetjet e anketës me anëtarët e Odës Amerikane dhe kërkesat e anëtarëve, në mesin e të cilave ishin: largimi i akcizës në lëngje, furnizimi me energji elektrike dhe ndryshimi i strukturës tarifore, liberalizmi i vizave dhe lirimi i lëndëve të para nga detyrimet doganore.

“Që prej hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit importet nga Bashkimi Evropian kanë arritur në 1.2 miliard euro ndërsa eksportet e Kosovës nga 128 milionë kanë rënë në 90 milionë euro. Kompanitë e anketuara të paktën nuk e kanë të bazuar strategjinë e tyre të zhvillimit në eksport. 44 për qind e kompanive janë shprehur se eksporti i tyre është rritur ndërsa 55 prej tyre kanë thënë që nuk e kanë vërejtur ndonjë ndryshim që prej hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje. Disa prej tyre këtë ia atribuojnë rritjes së kompanisë së tyre, ndërsa një numër tjetër ia atribuojnë ndryshimeve që kanë ndodhur në politikat fiskale”, ka shpjeguar ai.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se pritja se MSA-ja do të ketë ndikim në eksporte ka qenë gabim sepse kapaciteti i bizneseve prodhuese nuk ka mundësi t’i shfrytëzoj këto mundësi dhe për këtë ekziston një shqetësim që ka të bëjë edhe në mos hyrjen në fuqi për disa masa fiskale të cilat ende nuk kanë hyrë në fuqi.

“Viti i parë kaloi shumë shpejt dhe ne në OEK kemi drojën se hyrja e mallrave nga BE-ja pa iu nënshtruar detyrimeve tatimore do ta qes në gjunjë industrinë tonë prodhuese”ka thënë ai.

“Edhe pse pritjet e shumicës kanë qenë që MSA-ja do të ndikojë në rritjen drastike të eksporteve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, jo për shkak të politikave të pafavorshme fiskale, por për shkak se Kosova përfiton nga një status preferencial tregtar me shtetet e BE-së”, tha ai.

Zeka theksoi se mos hyrja në fuqi e masave fiskale të premtuara nga qeveria, në kuadër të së cilës Oda Amerikane ka kërkuar zgjerimin e listës së lëndëve të para të liruara nga detyrimet doganore dhe pushimet tatimore, mbesin ende shqetësim i përbashkët i Odës Amerikane duke shprehur drojën që MSA-ja do të rrisë presionin mbi industrinë prodhuese në vitet në vijim.

Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë tha se qeveria nuk ka pritur që kjo marrëveshje të ketë ndikim qysh në vitin e parë sipas saj ,të gjithë ata që e kanë pritur këtë nuk kanë pasur informacionet e duhura.

“Në anën tjetër ne kemi diskutuar me shumë eksportues dhe kemi dashtë të gjejmë arsyen që si ka mundësi që bilanci të thellohet. Vonesa për të mos i fuqizuar masat e reja fiskale është bërë pikërisht për të iu dhënë mundësi të gjitha bizneseve qe të diskutojmë me ta. Ne si MTI jemi munduar që me i sponzorizuar ndërmarrje të ndryshme për të marr pjesë në panaire ku nga këto janë nënshkruar 80 kontrata për eksport”, tha ajo.

“Sot jemi duke negociuar një kredi 15 milion për ngritjen e kapaciteteve të cilësisë në MTI qëllimi është që institucionet të bëhen anëtare në disa organizata ndërkombëtare në mënyrë që certifikatat tona të njihen”, ka thënë ministrja Bajrami.

Të ngjashme