Tërheqja e investimeve të huaja direkte vazhdon të mbetet në fokus si faktor kyç për zhvillimin ekonomik në vend. Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ku të pranishmit diskutuan për hapat që qeveria e vendit dhe institucionet tjera përkatëse duhet të ndërmarrin për të përmirësuar edhe më tej mjedisin e të bërit biznes në vend.
Arian Zeka, drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, tha se përmirësimi i rangimit të Kosovës në raportin e Bankës Botërore të të Bërit Biznes është për t’u lavdëruar, mirëpo tani është koha që ky përmirësim të reflektohet edhe në rritje të investimeve të huaja direkte, e që fatkeqësisht viteve të fundit nuk kanë qenë në nivelin e kënaqshëm.
Sipas tij, kjo tregon që institucionet përkatëse duhet që krahas përpjekjeve për përmirësimin e mjedisit afarist, të punojnë më shumë edhe në promovimin e potencialeve dhe përparësive konkurruese të cilat mund t’i ofrojë Kosova investitorëve të huaj.
Zeka theksoi se sektori privat duhet të jetë bartës i krijimit të vendeve të reja të punës, dhe në mënyrë që të arrihet një gjë e tillë, institucionet duhet të sigurohen se kanë krijuar politika të favorshme që nxisin investimet, qofshin ato të huaja apo vendore, raporton Ekonomia Online.
Në vazhdim, Zeka theksoi se përkundër rangimit në Raportin e Bankës Botërore, Kosova qëndron keq me investime të huaja direkte.
“250 milionë ka qenë shuma e investimeve dukshëm më e vogël se shuma e investimeve 2010-2011. Ne sikur kemi bërë një rast të veçantë të krijimit ndërmjet të përmirësimit të bërit biznes dhe këto katër vitet kemi pasur rangim të mirë në BB dhe nuk kemi pasur rritje te investimeve të huaja. Krahas këtij përmirësimi duhet të ndërlidhet me promovimin e investimeve në vend. Edhe pse jemi para të gjitha shteteve të Ballkanit në rangim kjo nuk ka sjell tërheqje të investimeve të huaja. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik mbështetet në investime të brendshme dhe është momenti i fundit që ne të shohim se si të sjellim investime të huaja direkte”.
Bajram Hasani, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, tha se ministria të cilën ai drejton ka rol kyç në koordinimin e përpjekjeve për reforma përkitazi me fushat që mbulon raporti i Bankës Botërore. Ministri theksoi se Ligji për Investime Strategjike, i cili së shpejti do të funksionalizohet përmes akteve nënligjore, mund të krijojë lehtësira të mëdha për tërheqjen e investimeve.
Ai shpalosi disa plane të Qeverisë për të krijuar lehtësira për krijimin dhe nxitjen e vendeve të reja të punës. Mes tjerash përmendi se shumë shpjet Ligji për Shoqëritë Tregtare do të shkojë në Qeveri.
Kreu i MTI-së tha se do t’i marrin për bazë të gjitha rekomandimet që dalin nga Raportit i Bankës Botërore. “Ndër fushat që janë marrë rekomandime për përmirësim janë te sigurimi i lejeve të ndërtimit që jemi 122 te energjia elektrike është një pengesë. Kemi bërë të gjitha presionet të ketë përmirësim në dukshëm e energjisë. Është krijuar një klimë e mirë, por duhet ta konkretizojmë me investime konkrete”.
Hasani tha se janë duke bërë disa analiza si t’iu krijohet investitorëve hapësirë edhe më e madhe. “Ne do t’i kërkojmë Qeverisë që të ndalet privatizimi i pronave që kanë mbetur, që t’i ndalim ato për investitorët e mundshëm. Do të mundohemi që zonat ekonomike, së paku 20 për qind të tyre, t’i lëmë për investitorë. Si MTI, mendojmë që të fuqizojmë prodhimin vendor në mënyrë që të rrisim eksportin”, tha ministri Hasani.
Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik, sqaroi planet e ministrisë për furnizimin stabil me energji elektrike, si element tejet i rëndësishëm për zhvillim ekonomik afatgjatë.
Në këtë drejtim, ai vuri theksin edhe mbi nevojën për të përshpejtuar hapat për projektin e ndërtimit të termocentralit të ri, ku tanimë janë duke u zhvilluar negociatat finale me kompaninë e përzgjedhur.
Lluka gjithashtu diskutoi edhe mbi planet e Ministrisë sa i përket energjisë së ripërtëritshme, ku planifikohen investime të ndryshme në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, investimet në sektorin privat janë mënyra e vetme për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë. Ai premtoi se shumë shpejt do të interesuarit mund të aplikojnë të marrin licenca për energji solare, raporton EO.
“Tarifimi të jetë më i barabartë edhe për biznese sepse Kosova është i vetmi vend që bizneset paguajnë 40 për qind më shumë se shtëpitë dhe një gjë e tillë e ngarkon biznesin. Kjo normalisht ndikon edhe në investime të huaja sepse ky nuk është sinjal i mirë për ta”.
“Këto janë çështjet që do t’i adresoj. Unë mendoj që shumë shpejt do t’i hapim rrugën licencave për energji solare. Hapi tjetër do të jetë zgjerimi i këtyre licencave përmes ankandin që në mënyrë të marrim ofertën më të mirë. Janë rreth 100 milionë euro që do të futen për këto projekte”.
Blerta Qerimi, specialiste e Sektorit Privat në Bankën Botërore, theksoi se përmirësimi i pozitës së Kosovës në raportin e Bankës Botërore paraqet një lajm të mirë për Kosovën, mirëpo institucionet duhet të punojnë më shumë për integrimin ekonomik të vendit, marrë parasysh nivelin e ulët të investimeve të huaja dhe të eksporteve.
Mes tjerash, Qerimi diskutoi edhe të gjeturat e një raporti tjetër të Bankës Botërore, ku theksohet se investitorët i kushtojnë rëndësi të madhe lehtësirave të ofruara nga shteti, marrëveshjeve për tregti të lirë, si dhe punës së agjencive për promovim të investimeve.
Nga ana tjetër, Visar Ramajli, drejtor ekzekutiv në KIVO LLC, shkëmbeu përvojat e tyre me investimet e bëra në Kosovë nga partnerët holandezë. Ai kërkoi që qeveria dhe institucionet e tjera përkatëse t’i kapitalizojnë rezultatet e Raportit të Bankës Botërore për tërheqjen e investimeve. Mes tjerash, ai theksoi nevojën që të përmirësohet performanca e institucioneve gjyqësore si një shtyllë kyçe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Ramajli, po ashtu, tha se është tejet e rëndësishme që institucionet përkatëse, duke u bazuar në konsultime me sektorin privat, të ndërmarrin reformë të sistemit arsimor në vend, në funksion të krijimi të një fuqie të kualifikuar punëtore që i përshtatet kërkesave të tregut.