E plotësuar:
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie në dëgjimin publik ka diskutuar pagat për zyrtarët publikë.
Naser Gjonbalaj nga Oda e Mjekëve të Kosovës tha se profesionistët mjekësor duhet t’u takojnë shërbyesve publik dhe jo atij civil, raporton EkonomiaOnline.
“Në këtë ligj nuk janë të futur profesionistët shëndetësor, nuk janë të trajtuar fare edhe pse ligji për shëndetësi thotë se profesionistët shëndetësor nuk u takojnë shërbyesve civil, por shërbyesve publik”, tha Gjonbalaj.
Blerim Krasniqi nga Dogana e Kosovës kërkoi që të konsiderohen njëjtë si zyrtarët e Policisë së Kosovës pasi që sipas tij kanë pothuajse të njëjta kompetenca dhe të njëjtat detyrime.
“Kërkesa jonë duke qenë se kompetencat, fuqitë ligjore, detyrimet, luftimi i kontrabandës etj., janë të njëjta me të policisë, dhe ne propozojmë që tek neni 3 t’u shtohet zyrtarëve të policisë bashkë me zyrtarët e doganës”, tha Krasniqi.
Kosova me 65 agjenci rregullatore, BE-ja kërkon të reduktohen
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie ka mbajtur dëgjim publik për tri projektligjet e reformës në administratën publike, përkatësisht Projektligjin për pagat në sektorin publik, Projektligjin për zyrtarët publik, dhe Projektligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura.
Kryetari i Komisionit, Nait Hasani tha se në Kosovë momentalisht janë 65 agjenci rregullatore dhe ky numër është shumë i madh sipas propozimit nga BE-ja, për këtë arsye ky numër duhet të zvogëlohet, raporton EkonomiaOnline.
“Në Kosovë janë 65 agjenci rregullatore, ka nga ato që kanë kryer detyrën mirë dhe nga ato që nuk e kanë kryer mirë, disa kanë emër dhe jo punë, por shteti i Kosovës me 65 agjencione rregullatore mendoj që është shumë. Kemi propozimin nga BE-ja për reforma në administratë që këto të zvogëlohen dhe dikujt i bie hise që të kaloj në ministri dhe me vërejtjet e juaja që janë kushtetuese, do t’i qëndrojmë dhe për të tjerat, do t’i shikojmë mundësitë që janë”, tha Hasani.
Në komision u thanën disa nga vërejtjet për agjencitë.
Driton Gjonbalaj nga autoriteti i Aviacionit Civil tha se ndërrimi i statutit të Aviacionit Civil nga autoritet i pavarur në atë ekzekutiv është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Dua të përmend një shqetësim që besoj prekë subjektivitetin e Aviacionit Civil në Kushtetutë, aviacioni civil nga autoritet i pavarur të shndërrohet në autoritet ekzekutiv”, tha Gjonbalaj.
“Aviacionin Civil kushtetuta e cilëson si agjenci rregullatore, shndërrimi i Aviacionit Civil në agjenci ekzekutive është shkelje e Kushtetutës dhe nuk mund t’i qëndrojë asnjë testi ligjor”, tha ai.
“Aviacioni Civil sipas Kushtetutës është rregullator, ndërsa sipas projektligjit të përmendur është agjenci ekzekutive”, shtoi Gjonbalaj.
Valon Kurtaj drejtor i Akademinsë së Drejtësisë së Kosovës tha se me këtë reformë cënohet pavarësia e akademisë.
“Akademia e drejtësisë sikurse cdo insitucion i pavarur ka bazën e saj në Kushtetutën e Republikës dhe ligjin për akademinë e drejtësisë. Akademia si agjenci e pavarur në esencë dallon nga agjencit tjera të pavarura sepse bëjm trajnimin e gjyqëtarëve, prokurorëve etj duke marr parasysh përkushtimin në Kosovë akademia e drejtësisë nëse është pjesë e rregullatore me këtë ligj cenohet pavarësia e akademisë dhe ndarjes së pushtetit legjislativ dhe gjyqësor”, tha Kurtaj.
“Akademisë së Drejtësisë duhet t’i ruhet statuti i pavarur dhe të ushtroj profesionin si e pavarur”, tha ai.
Ramiz Krasniqi nga komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale tha se nëse ky komision shndërrohet në atë ekzekutiv, atëherë do të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Integrimi i agjencionit në agjenci ekzekutive në kuadër të zhvillimit ekonomik, është gabim dhe pengon zhvillimin ekonomik të vendit, agjencioni ka staf të trajnuar dhe të përgatitur mirë dhe integrimi i tij në çfarëdo statusi i tij, do të ngadalësonte zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Krasniqi.