OEK kërkon pezullimin e implementimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore

Prishtinë | 23 Dhj 2016 | 12:25 | Nga

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) vlerëson se hartimi i Ligjit mbi Sigurimet Shëndetësore është përcjell me vonesa të shumta të cilat janë pasojë e gabimeve në fazën fillestare – hartimit dhe miratimit të shpejtë, pa konsulta të nevojshme dhe diskutim publik në të cilin do të merrnin pjesë të gjithë faktorët relevant, andaj kërkon që të pezullohet implementimi i tij.

OEK  vlerëson se mbledhja e premiumeve shëndetësore para përmbushjes së parakushteve të përcaktuara paraqet shkelje të ligjit dhe në rrethana të tilla kërkon që të pezullohet implementimi i ligjit.

“Oda Ekonomike gjithashtu është e shqetësuar me deklaratat e zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë se të gjitha shërbimet do të kontraktohen me institucionet publike, ndërsa vetëm ato që nuk mund të ofrohen në sektorin publik do të kontraktohen me sektorin privat. Një përcaktim i tillë paraqet shkelje të Ligjit të Shëndetësisë i cili parasheh trajtim të barabartë te të dy sektorëve. Konsiderojmë se zbatimi i këtij ligji nuk duhet të trajtohet si eksperiment në fazën fillestare dhe testuese”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.

OEK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë mbledhjen e premiumeve, të planifikuara prej fillimit të vitit të ardhshëm, deri në qartësimin e plotë të të gjitha dispozitave të legjislacionit primar dhe sekondar dhe sigurimin e barazisë në mes të dy sektorëve.

Në letrën dërguar institucioneve të vendit Oda ka dhënë shpjegime të hollësishme se pse angazhohet për pezullimin e implementimit të ligjit dhe pret që këto propozime dhe sugjerime të shqyrtohen dhe merren parasysh me rastin e marrjes së vendimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme