Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpresin iniciativën e fundit për rinisjen e fluturimeve komerciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Odat ekonomike e konsiderojnë këtë si hap përpara në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe lirisë së lëvizjes së njerëzve dhe mallrave ndërmjet shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
OEK dhe Oda Amerikane përsërisin qëndrimin se tregtia e lirë është një faktor esencial në të mundësuarit e rritjes ekonomike përmes efikasitetit dhe inovacionit të shtuar, shkëmbimit tregtar, cilësisë më të lartë dhe çmimeve më të ulëta për konsumatorët e rajonit, prandaj barrierat në tregti nuk janë në linjë me frymën e zotimeve të dhëna në kuadër të marrëveshjeve për tregti të lirë, kornizës së bashkëpunimit rajonal të përcaktuar në kuadër të procesit të Berlinit dhe zotimeve të shteteve për avancimin e rrugëtimit në integrimin evropian.
Bashkëpunimi ekonomik rajonal vetëm sa do të përmirësonte perceptimin për rajonin në sytë e investitorëve të huaj, prandaj, rinisja e fluturimeve do të ofronte përfitime vitale ekonomike, si dhe do të kontribuonte në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe rajonit në tërësi.
Në fund, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane thërrasin autoritetet në Kosovë dhe në Serbi të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për implementimin e duhur të marrëveshjes.