Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e Hashim Thaçit për lirim me kusht, megjithëse ai ka ofruar fillimisht 50 mijë euro dorëzani dhe është zotuar t’u bindet më shumë se 13 kushteve të tjera që mund t’ia caktojë Gjykata.
Gazetarja Rina Mujku tha në “Info Magazine” të Klan Kosovës se shuma e dorëzanisë mund të rritet, por se kundërshtimi i ZPS-së nuk lidhet vetëm me paratë. Sipas saj, Prokuroria pretendon se arsyet mbi të cilat Thaçi është mbajtur në paraburgim vazhdojnë të jenë të vlefshme, përfshirë rrezikun e arratisjes.
“Nuk ka nevojë që të rishikohen se a janë apo jo, thjesht ke thënë një herë që ekzistojnë si arsye, një ndër to edhe rreziku i arratisjes, dhe ajo duhet të mbetet e mirëqenë dhe duhet të merret si e tillë për t’ia vazhduar paraburgimin edhe më tej Hashim Thaçit, vendim për të cilin do të mësojmë në fillim të muajit gusht”, tha Mujku.
ZPS-ja ka kundërshtuar gjithashtu pretendimin se rrethanat e Thaçit kanë ndryshuar mjaftueshëm për ta arsyetuar lirimin. Sipas Prokurorisë, nuk ka ndodhur ndonjë “ndryshim drastik të rrethanave”, ndërsa procesi ende nuk ka përfunduar, pasi nuk janë dorëzuar dosjet përfundimtare dhe nuk janë mbajtur fjalët përmbyllëse.