Kombet e Bashkuara llogarisin se 11 milionë njerëz në Korenë e Veriut vujanë nga kequshqyerja dhe se nuk kanë ujë të mjaftueshëm dhe as qasje në kujdesin shëndetësor.
Raporti i publikuar nga Tapan Mishra, koordinator rezident i OKB-së për Korenë e Veriut, thotë se “kequshqyerja kërcënon një brez të tërë fëmijësh”.
“Me kujdes të kufizuar shëndetësor dhe mungesë të qasjes në ujë të pastër dhe në shërbime sanitare dhe higjienike, fëmijët në këtë vend të izoluar janë në rrezik të vdekjes nga sëmundjet e shërueshme”, thuhet në raport.
I njëjti e cilëson si tejet shqetësues faktin se prodhimi i përgjithshëm i ushqimit në Korenë e Veriut në vitin 2018 ka qenë mbi 9 për qind më i ulët se në vitin 2017 dhe më i ulti në më shumë se një dekadë.
Koreja e Veriut, e cila ka një popullsi prej rreth 24 milionë banorësh, po përballet me sanksione të OKB-së dhe të Shteteve të Bashkuara, si masë për ta bindur Phenjanin që të heqë dorë nga armët bërthamore dhe programet balistike, shkruan radioevropaelirë përcjellë Klan Kosova.