Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar rezolutën për dënimin e shkeljes së të drejtave të njeriut kundër myslimanëve të komunitetit Rohingya dhe pakicave të tjera në Birmani. Me këtë rezolutë dënohen arrestimet arbitrare, torturat, dhunimet seksuale dhe vrasjet gjatë kohës së mbajtjes në arrest.
Kjo rezolutë u miratua me përkrahjen e 134 shteteve, nëntë ishin kundër dhe 28 abstenuan. Me këtë dokument i bëhet thirrje qeverisë së Birmanisë që të marrë masa urgjente për ta luftuar urrejtjen kundër pakicave në rajonet Rakhine, kachin dhe Shan.
Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk janë ligjërisht të detyrueshme për t’u zbatuar, por ato e pasqyrojnë qëndrimin e pjesës më të madhe të botës.
Birmania vlerëson se pakica e komunitetit Rohingya në të vërtetë është me prejardhje nga Bangladeshi, ndonëse këto familje kanë jetuar në Birmani për gjenerata të tëra. Pothuajse të gjithë anëtarëve të këtij komuniteti u është mohuar e drejta e shtetësisë që nga viti 1982. Ata nuk kanë as të drejtë të lëvizjes dhe të drejta të tjera themelore.
Kriza e këtij komuniteti shpërtheu në vitin 2017, kur ushtria e Birmanisë e nisi aksionin e spastrimit në rajonin Rakhine si kundërpërgjigje ndaj sulmit të një grupi të armatosur.
Ky veprim shkaktoi shpërngulje masive të pjesëtarëve të komunitetit Rohingya drejt Bangladeshit. Ushtria u akuzua për dhunime e vrasje masive si dhe djegie të mijëra shtëpive, shkruan “The Guardian”.