Mijëra fotografi pritet të shfaqen në një ekspozitë 3D në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, për të theksuar vështirësitë e miliona personave që janë pjesë e konfliktit në gjithë botën dhe të kërkojnë mbrojtje për ata që tentojnë të ndihmojnë në të njëjtat, ka njoftuar ky trup të premten, transmeton Reuters.
OKB-ja është duke kërkuar nga njerëzit në gjithë botën të shtojnë emrat e tyre në një peticion, i cili kërkon nga liderët botërorë të mbrojnë civilët dhe punëtorët që ofrojnë ndihmë, mirëpo kësaj here jo me laps. Me selfie.
Imazhet në një version tredimensional do të publikohen në një strukturë xhami në ndërtesën e OKB-së, në atë që është cilësuar i pari “peticion i gjallë”.
“Është e paarsyeshme që civilët dhe punëtorët për organizata të ndihmave, vdesin dhe plagosen në zonat e konfliktit”, ka thënë drejtori i Zyrës së OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare, Mark Lowcock.
“Duhet ta ndalim këtë gjë”, ka thënë ai.
Më 2017, janë vrarë 139 punëtorë që ofrojnë ndihma, më shumë se 100 të tjerë janë plagosur teksa 76 janë kidnapuar derisa kanë qenë duke kryer punën e tyre, është bërë e ditur në raportin e grupit të pavarur për kërkime, Humanitarian Outcomes.
Numri i të vdekurve ka qenë 23 përqind më i lartë në krahasim me vitin e kaluar dhe i dyti në listën e shifrave rekorde.
Për të dytin vit me radhë, Siria është emëruar si vendi më i rrezikshëm për punëtorët që ofrojnë ndihmë humanitare, është thënë në një tjetër raport të organizatës bamirëse, CARE International.
Ekspertët kanë thënë se agjencitë që ofrojnë ndihmë duhet të bëjnë më shumë për t’iu ndihmuar këtyre personave që vuajnë nga probleme të ndryshme mendore siç janë depresioni dhe ankthi, pasi u ekspozohen ngjarjeve traumatike.
“Në gjithë jetën time në industrinë e organizatave për ndihmë humanitare, unë kam mësuar si të ndërroj gomën e një mjeti të armatosur, mirëpo kurrë si të njohë shenjat e depresionit”, ka thënë Michael Bociurkiw, ish-punëtor për ndihma humanitare, në një konferencë në Londër.
Vetëm 20 përqind e personave që janë përgjigjur në një hulumtim të Institutit me bazë në Britani (ODI), kanë thënë se e vlerësojnë që kanë pranuar mbështetje adekuate psiko-sociale.
Ekspozita e OKB-së është pjesë e fushatës #NotATarget (Jo një cak), përmes së cilës do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Ndihmës Humanitare më 19 gusht, dhe e njëjta do të vazhdojë të jetë në ambientet e OKB-së deri në muajin shtator, kur pritet të mblidhen liderët botërorë në Nju Jork.
“Mijëra fytyra që do të jenë pjesë e peticionit të gjallë do të jenë aty për t’iu rikujtuar liderëve botërorë, obligimin e tyre ligjor për mbrojtjen e civilëve në konflikte”, është shprehur Lowcock.
Pothuajse 32,000 civilë janë vrarë apo plagosur nga armët shpërthyese vitin e kaluar në zonat e konfliktit.
“Është e domodoshme që të mbajmë përgjegjës burrat me armë dhe pushtet”, ka deklaruar Lowcock.