Krishtlindja e vitit 2021 pritej të ishte një festë e madhe në qytetin palestinez të Betlehemit. Ndryshe nga bllokimi i vitit të kaluar dhe mbyllja e Kishës së Lindjes së Krishtit për shkak të pandemisë, këtë vit turistët dhe pelegrinët pritej të riktheheshin dhe të ndihmonin ekonominë e qytetit. Më pas, varianti Omicron i COVID-19 goditi, duke shuar shpresat dhe duke lënë shumë dhoma të parezervuara në hotelet e qytetit.
Vetëm pak javë më parë, palestinezët e Betlehemit festuan ndezjen e dritave të pemës tradicionale të Krishtlindjes përpara Kishës së Lindjes së Krishtit. Dyqanet dhe hotelet prisnin me padurim ardhjen e mijëra turistëve dhe pelegrinëve, ndryshe nga Krishtlindjet e vitit të kaluar, kur qyteti ishte i bllokuar për shkak të masave kufizuese kundër koronavirusit. Por më pas goditi varianti Omicron.
“Për shkak të pandemisë kemi 67 hotele të mbyllura, më shumë se 120 dyqane që shesin produkte antike orientale dhe restorante të mbyllura. Një numër artizanësh mbyllën bizneset e tyre dhe një numër punonjësish të këtij sektori ndërprenë punën. Pra, kemi të bëjmë me një dëm të madh ekonomik në Betlehem, të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.”
Kryebashkiaku i Betlehemit Anton Salman thotë se më shumë se gjysma e të ardhurave të Betlehemit vjen nga turizmi, veçanërisht të krishterët që dynden në qytet nga e gjithë bota. Këta vizitorë ndërkombëtarë tashmë nuk mund të shkojnë në Betlehem përmes aeroporteve izraelite, pasi ato janë të mbyllura për të huajt për shkak të masave për të frenuar përhapjen e variantit Omicron. Sot, turistët e paktë ndërkombëtarë në Betlehem janë njerëz që tashmë jetojnë dhe punojnë në Izrael, të cilët po u bashkohen grupeve të vogla të të krishterëve palestinezë.
“Këtë radhë është shumë qetë në Betlehem. Unë mendoj se ne jemi i vetmi grup sot nga Tel Avivi dhe kjo është një gjë e trishtueshme tani këtu në Betlehem”, thotë Aries Paduga, pastor i Kishës Baptiste Rruga e Krishtit në Tel Aviv.
Mungesa e turmave të Krishtlindjes është gjithashtu zhgënjyese për ata që planifikonin të prezantonin punën e restaurimit dhjetëvjeçar të përfunduar së fundmi në Kishën e Lindjes së Krishtit.
“Nuk u restaurua për rreth 500 vjet. Çatia ishte në gjendje shumë të keqe. Uji po pikonte, duke shkatërruar mozaikët e bukur dhe muret e zbukuruara të kishës. Kemi pastruar dhe restauruar 1.4 milionë copa të vogla mozaiku dhe pikturat në 52 shtyllat e kishës. Në këtë projekt u angazhuan rreth 400 ekspertë nga e gjithë bota, që punonin me arkitektë dhe punëtorë palestinezë për restaurimin e kishës. Jemi shumë krenarë si palestinezë që kemi arritur ta bëjmë këtë punë, duke e bërë të disponueshme kishën për të gjithë besimtarët. Por edhe për njerëzit që e duan kulturën, historinë e artit dhe që duan të vijnë në Betlehem dhe të shohin kishën në lavdinë e saj të re”, thotë Khouloud Daibes nga Fondacioni për Zhvillimin e Betlehemit.
Kryebashkiaku i Betlehemit, Anton Salman thotë se ai nuk do të heqë dorë nga shpresa për qytetin e tij.
“Jemi në kryeqytetin e Krishtlindjes, kryeqytetin e shpresës, sepse Krishtlindja solli në botë shpresën. Dhe ne po jetojmë me shpresë me të gjitha vështirësitë tona”, thotë ai.
Ai shpreson që vitin e ardhshëm Betlehemi do të jetë i mbushur me pelegrinë që vijnë për të parë Kishën e Lindjes së Krishtit, tani plotësisht të restauruar./voa