Policia qëlloi një grua dhe arrestoi katër persona të enjten në mbrëmje, gjatë një aksioni anti-terrorist në Londër dhe në Kent të Britanisë së Madhe.
Nga policia londineze përmes një deklarate thuhet se femra e moshës 20-vjeçare u plagos kur oficerët e policisë u futën në një adresë në veriperëndim të Londrës. Më tej theksohet se ajo ndodhet në spital dhe ka “plagë të rënda, por është në gjendje të qëndrueshme”.
Gjithashtu shtohet se në afërsi të të njëjtës adresë janë arrestuar një mashkull dhe një femër në të njëzetat, si dhe një djalë 16-vjeçar, ndërsa një grua e moshës 43-vjeçare u arrestua në Kent.
Të dyshuarit janë mbajtur në stacion policor në jug të Londrës “nën dyshimet për përgatitjen dhe inkurajimin e akteve terroriste”, thuhet në deklaratë.