Operacioni “Lumëbardhi” prangos tre trafikantë me narkotikë

Pejë | 18 Gus 2016 | 18:02 | Nga

Policia e Kosovës, me urdhër të gjykatës, ka zhvilluar një operacion bastisjeje në katër lokacione të ndryshme në Deçan, Isniq dhe Baran të Epërm.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë, në bashkëpunim me stacionin policor të Deçanit dhe Njësinë për Reagim të Shpejtë, ka kryer të mërkurën operacionin e kontrollit, të koduar me emrin “Lumbardhi”.

Me këtë rast, janë arrestuar tre persona, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale: “kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Personat e arrestuar janë: S. O. (1975), A. T. (1983) dhe A. T. (1988), të gjithë meshkuj shqiptarë, shtetas të Kosovës.

Gjatë këtij operacioni policor në cilësi të provave materiale janë konfiskuar:
– 234 bimë substancë, e dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa
– 30 gramë substancë, e dyshuar narkotike e llojit marihuanë
– një peshore digjitale
– 152 bimë substancë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa
– një AK/47 me një karikator
– 71 fishekë cal.7.62×39 mm,
– një granatë dore e llojit F-1
– 3 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Bimët narkotike janë shkatërruar në vend pas marrjes së mostrave. Në vendngjarje ka dalë edhe njësiti i deminimit i Policisë së Kosovës, i cili ka tërhequr granatën.

Personave të arrestuar u është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh për procedurë të mëtejme.

(Foto: arkiv)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme