Albin Kurti i kishte të gjitha autorizimet që ta merrte vendimin edhe pa rezolutë

Prishtinë | 16 Jan 2022 | 16:55 | Nga Liri Loshi

Driton Selmanaj është kundër Albinit dhe Vjosës, por nuk është me Serbinë. Mos harroni se SHBA dhe shtetet e Kuintit ishin për lejimin e referendumit serb në Kosovë. Kjo nuk do të thotë se këto shtete ishin kundër Kosovës, porse në këtë moment ai ishte rezonimi politik i tyre. Me siguri Driton Selmanaj e dinte se rezoluta kalonte edhe pa votën e tij. Fundja, ai abstenoi, por nuk votoi kundër rezolutës.

Është mirë që kur kritikojmë njeri-tjetrin të merremi me faktet dhe jo me personin. Fakt është që partia e Dritonit e mundësoi kalimin e rezolutës kundër referendumit serb në Kosovë. Është edhe një fakt tjetër i rëndësishëm. PDK-ja nuk mori pjesë në seancë, por mbështeti qartë kushtetueshmerinë e Kosovës. Mendimi i tyre politik ishte se kjo mund të bëhej edhe pa rezolutë. Njesoj mendonte edhe LDK-ja dhe AAK-ja, vetemse ato për dallim nga PDK, morën pjesë në seancë dhe e votuan rezolutën. Por një gjë nuk duhet harruar, Albin Kurti i kishte të gjitha autorizimet që ta merrte vendimin edhe pa rezolutë. Ta mbrosh kushtetueshmerine e vendit tënd me veprime politike nuk është heroizëm, por është obligim kushtetues. Prandaj as Albin Kurtin nuk duhet parë si hero, por vetëm si kryeministër legjitim të Kosovës.

Asnjë parti politike dhe asnjë deputet shqiptar nuk është me Serbinë. Nuk ka nevojë për protagonizëm e as për triumfalizëm. Serbia mbetet aty ku është dhe ne prapë do të kemi rastin me e matë njeri tjetrin, kush është më i ditur, kush është më trim e kush më patriot. Kosova do të ketë edhe sfida tjera.

Të ngjashme