Albini e ka më të lartë krenarinë sesa taktikën dhe pragmatikën politike

Prishtinë | 07 Jan 2020 | 09:36 | Nga Driton Smakaj

Albini nuk e ka aspak të lehtë me i ba numrat. Gjatë viteve sa ka bërë politikë aktive, më shumë në rrugë se sa në Parlament, ka krijuar më shumë armiq mbrenda klasës politike se sa miq.

Në anën tjetër, Albini e ka më të lartë KRENARINË sesa taktikën dhe pragmatikën politike. Ky element i krenarisë së tepruar, në politikë është një dështim i sigurtë.

Gabimi më i madh i tij qysh në fillim, ka qenë përcaktimi i vijave të kuqe për koalicion. Ky përcaktim i tij politik, përveç që është naiv, ia jep qysh në fillim një vetëbesim të lartë, partnerit tjetër që konsiderohet si i vetëm për një koalicion të mundshëm.

Premtimet e tij që pas çertifikimit të zgjedhjeve do të kemi menjëherë QEVERINË, u tretën në retorikën e fjalëve boshe për takime në takime të radhës, për të arritur një marrëveshje për një takim tjetër.

Albini tash gjendet në një situatë jashtëzakonisht të çuditshme, ku sillet para mediave si një fitues absolut i zgjedhjeve, por i pa aftë për të bërë numrat për QEVERINË. Duke u shitur si mega-politikan, ra në kurthin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit pa një marrëveshje për koalicion, duke ia ulur VV-së çdo mundësi për një marrëveshje të mirë pas këtij akti.

Gjasat janë reale që Albini nuk don QEVERI. Ai don zgjedhje të reja duke besuar që numri i votave do të shkon në favor të tij.

Mendimi im personal është që gjykimi i tij është gabim. Në rast të zgjedhjeve të reja, klasa politike në Kosovë do të ketë një strukturë interesante dhe kombinimet mund të jenë diçka krejt të papritshme për vet Albinin. E në një kombinim të tillë, shumë qytetarë do të vendosin të votojnë krejt ndryshe e shumë të tjerë nuk do të votojnë fare.

Rezultati i zgjedhjeve mund të na sjellë një Avatar si Kryeministër, apo ndonjë zarf të çelet si trëndafil mbi tavolinë.

Nëjse, Albini i ka pasur gjasat reale me i grah Qeverisë për 4 vjet, nëse ishte hapur për koalicion me të gjitha partitë. Demokracia duhet respektuar dhe duhet respektuar qytetarët që kanë votuar sëcilën parti. Bërja e Qeverisë është obligim Kushtetues, ndërsa sëcili politikan është përgjegjës para ligjeve të Republikës.

Ndoshta edhe mund të kemi një Qeveri. Albini do të bëjë ndonjë lëvizje magjike, nuk i dihet, por nuk po shihet aktualisht një shkop magjik në dorën e asnjërit politikan.

Propozimi i emrave për të drejtuar ministritë, ngjanë me një lojë koti. Nuk ka asnjë peshë politike në këto momente.

Politika nuk është e poshtër. Politikanët në përgjithësi i shohin rivalët e vet si njerëz të poshtër.

Pra, është vërtetë diçka politike të arritësh bashkëpunim mes poshtërsive për të bërë diçka të mirë për vendin.

Të ngjashme