Çka humb dhe çka fiton Kosova me Marrëveshjen e Washingtonit

Prishtinë | 16 Sht 2020 | 20:51 | Nga Faton Abdullahu

1) ‘Marrëveshja e Uashingtonit’ nuk mund të vlerësohet vetëm bardh ose vetëm zi. Për fat të keq sot tek ne kemi dy qasje kryesore të kësaj natyre. Qeveria e sheh vetëm si marrëveshje të bardhë, kurse VV-ja vetëm si krejt të zezë. Asnjëra nuk ka të drejtë. Kjo qasje e ngurtë mund të na kushtoj.

2) Në këtë Marrëveshje e keqja më e madhe është një lloj ‘fitimi i humbur’. Kemi humbur mundësinë e madhe p.sh. për të fituar si kompensim, një hekurudhë që do të na lidhte me Shqipërinë e do të financohej nga investitorët e planifikuar për këtë Marrëveshje. Arsyetimi do të ishte pragmatik se, kështu hapim mundësi të re që Kosova me Mini-Shengen të mos mbetet ‘ujdhesë e diskriminuar ekonomike’ nga shtetet fqinje tw cilat nuk i takojnë BE-së, por të gjitha kanë dalje në BE. (pika që kishte të bënte me Mini-Shengenin).

3) ‘Fitimi i humbur’ ka ndodh edhe me pikën 10 mbi të drejtat e pakicave. Duke u pajtuar që të hiqet kjo pikë e Marrwveshjes, kemi hequr vullnetarisht dorë nga mundësia që t’i ndihmojmë, me diçka konkrete nga kjo marrëveshje, shqiptarëve të Luginës së Preshevës, qoftë në arsim, shëndetësi, infrastrukturë rrugore etj. Këtë lëshim e kanë bërë LDK, AAK dhe Nisma. E pafalshme.

4) Kjo marrëveshje nëse nuk shtyhet përpara nga SHBA-t, do ta forcoj pat pozicionin e cila i konvenon më së shumti Serbisë.

5) Nëse ne nesër me Ujman obligohemi ta ndihmojmë Serbinë që të pavarësohet nga varshmëria shumë e madhe energjetike që ajo ka nga Rusia (kështu ka thënë Grenell) kjo duhet të na kompenzohet me shtetndërtim, jo vetwm me njohje të reja, por të mbrohemi edhe nga shkëmbimi i territorit edhe nga asociacioni serb me ingerenca shtetërore.

6) VV-ja me kundërshtimet e saja paranojake kundër Administratës Tramp, LDK-n, AAK-n dhe Nismën po i bënë të duken krejt pro amerikane. Nuk është bash kështu. Një Qeveri që nuk e nxjerrë më të mirën e mundshme për Kosovën nga kjo marrëveshje e ushqen zhgënjimin nga amerikanët në Kosovë. Këtë e ka bërë kjo Qeveri, por VV po e eklipson koxha mirë.

7) Ekipi ynë negociator nuk ka negociuar, ata e kanë deleguar përgjegjësinë dhe pjesën më të madhe të ‘debatit’ në Prishtinë tek Kreyetari i LDK-së AAK-së dhe Nismës. Vendimet janë marrë në Prishtinë. Ekipi ka firmosur me aminin e liderëve që nuk ishin atje. Ikja nga përgjegjësia ishte karakteristikë unike e një ngjarje kruciale për fatin e Kosovës. Nëse nesër ka zhgënjime nga Marrëveshja, liderët partiak do t’i bishtërojnë përgjegjësisë duke thënë – ne nuk e kemi nënshkruar, nuk ishim atje. Kurse ata të ekipit negociator do të thonë, neve na thanë liderët nga Prishtina ta nënshkruajmë.

8) Çështja LDGB ishte jo zakonshëm pjesë e kontratës mes nesh dhe Serbisë. Me këtë republikanët po mundohen që të fitojnë më shumë simpati, e më pas në nëntor edhe vota në ballafaqim me demokratët, të cilën në këtë segment janë shumë më të përkushtuar dhe marrin shumë vota për shkak të kësaj qasje mbi liritë seksuale në SHBA.

9) Në këtë Marrëveshje Kina, Rusia, vendet arabe janë në njërën anë, kurse në tjetrën janë, SHBA-t, Kosova, Serbia, Izraeli. BE është neutrale.

10) Pretendimi i kësaj Marrëveshje që ta pavarësoj Serbinë nga Rusia, qoftë edhe vetëm në aspektin energjetik, është shumë ambicioz dhe jo real. Kosovës mund t’i kushtoj shumë shtrenjtë ky pretendim gjeopolitik amerikan, sepse kërkon shumë kohë dhe energji në të ardhmen të cilat mund ta dëmtojnë shtetndërtimin e Kosovës. Kosova është shumë e vogël për ta paguar këtë çmim kaq të madh.

11) Duket se Serbia e Vuçiqit e ka pranuar këtë Marrëveshje për aq sa aty ka hapësirë që nesër me neglizhencë e besa edhe bojkot ta mbaj jo normalitetin me Kosovën të ngrirë dhe të vazhdueshëm. Kjo nuk i konvenon SHBA-s, as Kosovës, as BE-së.

12) Qeveria Hoti vuan nga ‘mirëkuptimi i tepruar’ prandaj ajo si e tillë nuk është e denjë të merret me jetësimin e kësaj Marrëveshje sepse në zbatim e sipër nga Qeveria e Kosovës do të kërkohet qasje më e guximshme dhe më mospajtuese për të nxjerrë përfitime më të mira për Kosovën.

13) Kjo marrëveshje mund t’i dëmtoj raportet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe vendet arabe. Ajo ka dy mundësi për të mbijetuar nga kjo qasje e re. E para të përfitoj shumë edhe në dëm të Kosovës, apo ta bojkotoj dhe prolongoj këtë Marrëveshje.

14) Në masë të madhe, pothuajse krejt kjo marrëveshje ka të bëjë me të ardhmen dhe atë jo fortë të afërt, e cila në rrugëtim e sipër mund të ndryshoj shumë. Përfitimi nga ajo do të varet edhe prej asaj çfarë do të bëjmë ne.

15) Në masë të madhe kjo marrëveshje nuk ka konkretizime, por është shumë e përgjithësuar, gjë që prapë lë shumë mundësi për tu ndryshuar në rrugëtim e sipër. Prandaj edhe kjo e bënë që përfitimet nga ajo të varen edhe prej asaj çfarë bëjmë ne.

16) Sidomos Ujmani dhe Mini-Shengeni, si pjesë e marrëveshjes (zotimit) lënë shumë mundësi për t’u ndryshuar dhe plotësuar në mënyra të ndryshme dhe për qëllime të ndryshme.

Të ngjashme