“Fake news” dhe portalet e Kosovës

Prishtinë | 14 Kor 2019 | 17:17 | Nga Liri Loshi

Portalet në Kosovë më shumë janë duke bërë punë të dëmshme sesa të dobishme. Në vend të lajmit të vërtetë, ato gjithnjë e më shumë po prodhojnë lajme të rreme, apo të deformuara. Që absurdi të jetë edhe më i madh, lexuesi kosovar është tejet i paemancipuar dhe përtac. Ai nuk interesohet për vërtetësinë e asnjë lajmi që lexon dhe kështu efekti negativ i lajmit të rremë shpesh arrin edhe përtej përmasave të pretenduara. Kur kësaj i shtohen edhe dhjetra qindra militantët të partive që janë 24/7 në kërkim të “argumenteve” për ta gozhduar kundërshtarin e tyre politik, atëherë mund të themi lirisht se portalet po krijojnë një kaos të vërtetë.

Për fat të keq, shpesh ngjan që pre e lajmeve të tilla të bëhën edhe intelektualët dhe politikanët, të cilët para se të reagojnë nuk e marrin as mundin më të vogël për të bërë një hulumtim rutinor të vërtëtësisë së lajmit. Një aspekt tjetër është numri i madh i atyre që edhe kur nuk e kuptojnë tekstin e një lajmi, ose kur vetëm pjesërisht e kuptojnë atë, janë shumë të zellshëm për t’u bërë pjesë e debateve të ashpra dhe të pista që nuk kanë për qëllim asnjë interes për publikun, por vetëm luftën e pakompromis ndaj kundërshatrëve të tyre politikë.

Shoqëria kosovare duket të jetë shumë e kontaminuar nga “fake news” dhe ajo po bëhet gjithnjë e më shumë viktimë e tij. Rasti më i freskët janë reagimet impulsive rreth një deklarate të shkrimtarit dhe intelektualit Jusuf Buxhovi për UÇK-në, e cila u deformua skajshmerisht nga disa portale . Në kurth ranë edhe shumë emra të njohur si njerëz që merrën me politikë, apo veprimtari intelektuale. Portalet pra, kane ardhur deri te ajo pika kur për shkak të efektit negativ të lajmeve që konstruktojnë, po rrezikojnë integritetin personal dhe jetën e qytetarit kosovar. Kosova duhet të bëjë diçka për ta mbrojtur qytetarin e vet nga ky kërcënim serioz.

Të ngjashme