Ideologjia dhe kapitali pa politikë

Prishtinë | 29 Sht 2022 | 18:18 | Nga Afrim Kasolli

Politika është përfaqësim. Medium për t’i reprezantuar opinionet, interesat, bindjet edhe të atyre më të cilët jemi të detyruar ta ndajmë botën e përbashkët. Sa më e gjerë aftësia e një subjekti politik për t’i marrë në konsideratë këto interesa të përgjithshme, aq më efikas bëhet një gjykim politik. Kjo aftësi, sipas Hanna Arendt, na mundëson që t’i shohim gjërat dhe fenomenet jo vetëm sipas opinionit tonë, por edhe të tjerëve. Sa më shumë i “sintetizojmë” pikëshikimet e tyre brenda rezonit tonë politik aq më i plural dhe i pasur është ai. Ashtu siç është vetë jeta politike, si sferë e qenieve plurale. Kuptohet asnjë subjekt nuk mund të jetë përfaqësues total i shoqërisë. Për shkak të kësaj pamundësie krijohet dimensioni agonisitik i politikës. Tensioni ndërmjet synimeve hegjemonike dhe rezistencës qëndron në thelb të antagonizmit.

Mirëpo, në mungesë të këtyre atributeve ajo zhvishet nga “esenca” e saj. Shndërrohet në funksion dhe qëllim të vetvetes. Nuk përfaqëson asgjë tjetër pos njëmendësisë dhe disa interesave të ngushta.

Kriza në politikën kosovare është pikërisht pasojë e këtij dështimi.Pra, e paaftësisë së saj për ta jetësuar rolin përfaqësues qytetar. Bie fjala, partia në pushtet është shndërruar në zgjatim të liderit të saj. Ideologjisë dhe doktrinave të tij. Sepse ai e përfaqëson shoqërinë. Pra ai është mishërim i totales. Kurse të tjerët nuk kanë asnjë rol. Ata vetëm mund të jenë subjekte të paracaktuara të teorisë së tij të predestinimit. Këtë e ka vulosur tashmë 14 shkurti.

Në anën tjetër, një pjesë e opozitës mjerisht po ashtu lufton vetëm për mbrojtje të interesave të ngushta të grupeve të saj drejtuese. Nuk i karakterizon ndonjë rrëfim tjetër politik. Bie fjala, PDK-ja gjithnjë e më shumë nga një entitet politik po e merr pamjen e një korporate aksionare.

Ai që investon më shumë brenda saj ka më shumë të drejta dhe privilegje. Vendin e aksionit politik e kanë zënë financat. Nuk kanë rëndësi vlerat, konceptet, përgatitja, mendimi politik etj. Këto “gjykohen” vetëm për aq sa janë në shërbim të interesave financiare të aksionareve të saj. Kurse pozitat kryesore drejtuese në parti u takojnë investitorëve të kompanisë (partisë).

Falë kësaj plekjse të çuditshme infrastruktura shndërrohet në superstrukturë dhe superstruktura në infrastrukturë. Mjerisht ky kombinim e bënë këtë parti në shembull eklatant të “verifikimit” të teorive të Karl Marksit, në Kosovën e shekullit 21. Falë kapitalit financiar pason avancimi politik, kurse më pastaj kjo ngritje politike shndërrohet në instrument për përfitim ekonomik. Çdo gjë kushtëzohet nga ky perceptim.

Kështu “mjeku, juristi, politologu, filozofi, inxhinieri, gazetari”, nuk shihen si qenie autonome me vullnet politik, por vetëm si punëtorë me mëditje për forcimin financiar të bordit menaxherial të partisë. Si pasojë e kësaj “dialektike” mëtohet të imponohet ajo formë e adhurimit të pushtetit, ku individët duhet ta shohin si burim të shpëtimit, pikërisht atë formë që e prodhon nënshtrimin e tyre.

Ky dallim ndërmjet dy modeleve të sipërcekura, atij që mëton ta jetësojë përfaqësimin total dhe tjetrit që është i orientuar në mbrojtje të kapitalit personal, e tregon falsitetin e kundërthënieve në politikën kosovare. Sepse ato janë të njëllojta. Nuk kanë dallime substanciale. Të dyja vuajnë nga paaftësia për përfaqësim të njëmendtë qytetar. Shprehur me një gjuhë të logjikës hegeliane qenia politike (pushteti) dhe hiçi politik (opozita) janë një dhe të pandarë. Prandaj, pikërisht për shkak të këtij dallimi formal, ka kohë që një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës po e shohin vetën gjithnjë e më të papërfaqësuar.

Natyrisht, kohën e fundit kanë filluar të vërehen disa zhvendosje elektorale. Siç po tregojnë hulumtimet e opinionet publik, gjithnjë e më shumë ka filluar të shtohet besimi i qytetarëve të Kosovës në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kjo e fundit gradualisht po mëton ta pushtojë vakuumin qe e kanë lënë të tjerët. A do të ia dalë LDK nën drejtimin e lidershipit të ri që ta shtrojë shtratin e rikthimit të politikës kjo mbetet të shihet? Kontigjencat e ardhshme politike do ta dëshmojnë këtë. Por se ajo parti ka përparësi në raport me partitë tjera opozitare për t’u bërë flamurtare e alternativës ndaj pushtetit, ishte e ditur që nga koha kur ajo i inauguroi ndryshimet e brendshme serioze brenda saj. E jo vetëm improvizime të çastit.

LDK e filloi procesin e ndryshimit të koniunkturës më qëllim që ta konsolidonte bazën. Dhe jo anasjelltas. Sepse ato parti politike që luftojnë për ta ruajtur me çdo kusht atë strukturë drejtuese që është përgjegjëse për dështimin e saj nuk kanë të ardhme. Nuk i shpëton as kapitali as lidhjet familjare të gjakut. Sepse të tillat nuk përfaqësojnë asgjë pos logjikës së tyre “tribale”. Pra të kundërtën e politikës.

Të ngjashme