Keqpërdorimi i fesë nga partitë tona pas çlirimit-pavarësisë

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 19:21 | Nga Milazim Krasniqi

Në fillim LDK-ja promovoi një kurs filokristian, duke tentuar të injorojë ndjenjat e muslimanëve.

Ky kurs zgjoi indinjatë te shumë hoxhallarë dhe besimtarë muslimanë. PDK e kapi këtë situatë dhe filloi një lojëme ta, duke koketuar me disa hoxhallarë dhe me xhematet e tyre. Kur u ngi me atë lojë, më saktë nën presionin ndërkombëtar, i arrestoi disa hoxhallarë dhe shpalli një distancim të prerë.

Natyrisht, humbi elektorat. LVV e kapi atë moment dhe filloi koketimin me disa hoxhallarë, (edhe me disa nga ata që i hodhi PDK-ja) dhe me disa OJQ e grupe informale fetare.

Masivizimi i LVV i dedikohet këtij aderimi të tyre në LVV, nësoj si në rastin e PDK-së më herët. Por, LVV e ka një meritë që nuk duhet t’i injorohet: fuqizmi i saj me ato grupe, ka koinciduar me zbehjen e islamofobisë, e cila në disa vite të qeverive të alternuara ndërmjet PDK, LDK dhe AAK, ishte e bezdishme. Se si do të rrjedhin gjerat në këtë kontekst nuk e di, por dy janë mundësitë.

E para, që LVV në një moment, nën ndonjë presion tjetër ndërkombëtar, të sillet me këto grupe siç u soll PDK-ja. E dyta, që grupet fetare brenda LVV, në një moment të dobësimit eventual të saj, të provojnë të dalin si grupim më vete. Ajo që mund të thuhet me siguri është se deri sot, në të gjitha variantet, ka ndodhë keqpërdorimi i fesë dhe ndjenjave fetare nga partitë politike.

Natyrisht, jo me dhunë, po falë naivitetit të disa njerëzve të fesë, që janë vënë në shërbim të lojërave të partive politike për kalkulime/iluzione pushtetore, esencialisht jofetare. Më rezulton që fenë e kanë keqpërdorë ajo dorë hoxhallarësh dhe besimtarësh, e pakta aq sa edhe partitë politike.

Në fakt, partitë politike vetëm e kanë shfrytëzuar ambicien e tyre joreale dhe injorancën e tyre politike.

Të ngjashme