Këshillat e mbrapshta po e dëmtojnë edhe vetë Kurtin

Prishtinë | 13 Sht 2021 | 16:39 | Nga Milazim Krasniqi

Deklarata e Albin Kurtit për arkivat tingëllon si ironi, por është oksimoron. Pra, është kundërthënëse në themel.

Pse? Sepse Kurti insiston që të hapen arkivat në Kosovë, për të krijuar hapësirë që të gjenden të pagjeturit, për të cilët është fajtore dhe ka dijeni vetëm Serbia! Pra, të dhënat për të pagjeturit janë në arkivat serbe, jo në arkivat tona.

Prandaj, arkivat serbe duhet të hapen, pa asnjë kushtëzim. Nëse ato nuk hapen, pa u hapur edhe arkivat tona, kjo do të thotë se Serbia po shantazhon qeverinë tonë, ndërsa qeveria jonë ka rënë pre e shantazhit nga Serbia. Kështu duhet të lexohet kjo çështje. Përtej kësaj situate, duhet të jetë e qartë që Serbia mund të hapë arkivat(dhe dosjet) vetëm nëse kushtëzohet fort nga BE, SHBA e NATO. Kurrqysh ndryshe.

Por, BE, SHBA e NATO nuk po e kushtëzojnë fare Serbinë. Përkundrazi, po e favorizojnë edhe në dialogun në Bruksel, edhe në Procesin e Berlinit, edhe me Ballkan Open. Ndërsa Kosovën kanë arritur ta mbajnë në izolim, në varfëri, ta fusin në kurthe të konflikteve të brendshme, nga ku edhe kërkesat e saj legjitime për të pagjeturit dhe për drejtësi, duken jonormale.

Më tutje, Kosova tashmë është edhe në bankën e zezë në Gjykatën Speciale në Hagë, ashtu që diskutimi për arkivat e UÇK-së e rëndon edhe më shumë pozitën e saj. Prandaj, deklarata e Kurtit vetëm sa e përkeqëson pozitën e Kosovës.

Në instancë të fundit, e përkeqëson edhe pozitën e tij si kryeministër. Prandaj nuk arrij ta kuptoj pse në këtë temë po punon edhe kundër vetes. Kushdo që ëshë duke e këshilluar kaq mbrapshtë, është duke e dëmtuar edhe Kurtin personalisht.

Të ngjashme