Kthimi i “historisë” në Gjermani

Prishtinë | 03 Mar 2022 | 09:48 | Nga Afrim Kasolli

Shpeshherë në politikë, kontigjencat dhe koincidencat historike dhe sociale ndikojnë në thellimin e humnerës ndërmjet bindjeve dhe ideologjive paraprake si dhe realitetit konkret që zhvillohet sipas “logjikës” së ngjarjeve.

Ballafaqimi me rrethanat e paparashikuara dhe të papritura bëhet sipas dy qasjeve, asaj dogmatike dhe pragmatike. Ata që janë robër të të skemave të ngurta mentale ideologjike, ngulmojnë në fantazitë e tyre dhe nuk adaptohen me rrethanat e reja, sipas formulës aq me keq për realitetin dhe jo për dogmat e tyre. Kurse, ata politikanë që drejtohen nga sensi pragmatik i veprimit e ndryshojnë mënyrën e tyre të sjelljes konform nevojave të reja që krijohen si pasojë e ngjarjeve në terren. Nuk jetojnë në iluzionet e misionit të tyre, por konfrontohen me presionet reale të botës.

Shembull tipik i këtyre kundërthënieve mund të merret historia e re qeverisëse e koalicionit ndërmjet social demokratëve dhe të gjelbërve në Gjermani. Dhe atë dy herë. Në vitin 1999, si dhe tani.

Përkundër patosit të tyre anti-luftë dhe anti-logjikës militare, ishte ky koalicion që me të marr pushtetin u detyrua të përfshihet së bashku me aleatët tjerë perëndimorë, si pjesë e NATO-së, në fushatën e bombardimeve nga ajri kundër forcave militare dhe policore serbe, që atëbotë po kryenin gjenocid dhe spastrim etnik, ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Të gjithëve na kujtohen presionet që i kishte pasur ish-lideri i të gjelbërve dhe ish-ministri i punëve të Jashtme të Gjermanisë, Joschka Fischer, nga militantët e partisë së tij. Por, ai nuk qëndroi duarkryq. U konfrontua me ta. Ai e kuptoi qartë se paqja, që aq shumë e glorfikonin ai dhe partia e tij, nuk mund të arrihej ndryshe, pos duke luftuar kundër Serbisë së Milosheviqit. Partia e tij e akuzonte për kriminel lufte. Antologjik ka mbetur reagimi i tij ndaj këtyre sulmeve, kur u tha atyre, se “nëse unë jam kriminel lufte, atëherë keni shansin që ta dekoroni Milosheviqin me çmimin Nobel për Paqe”.

Me këtë paradoks po konfrontohet edhe sot koalicion ndërmjet këtyre partive dhe kancelari i ri Olaf Scholz. Intervenimi agresiv rus në Ukrainë e ka bindur atë dhe partinë e tij, për ta ndërruar komplet qasjen e deritanishme të Gjermanisë. Se ky shtet s’mund të jetojë pafundësisht në iluzionet e paqes demokratike, kur kjo e fundit sulmohet pamëshirë çdo ditë nga regjime despotike.

Aq shumë ishte tërhequr Gjermania nga skena e teatrit të historisë, saqë me të drejtë kohë më parë ,Radoslaw Sikorski, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, pat deklaruar se “ kam filluar t’i frikësohem më shumë joaktivitetit të Gjermanisë, se sa ushtrimit të pushtetit të saj në nivel global” ( I fear German poëer less than I am beginning to fear German inactivity).

Mirëpo, me një lëvizje të paprecedent në raport me këtë trashëgimi, Olaf Scholz pohoi se mund të përkrahen forcat ukrainase në terren me pajisje ushtarake që po luftojnë kundër agresionit rus, si dhe e hapi rrugën e riorientimit të një shumë e madhe të buxhetit federal që ka për qëllim modernizmin e ushtrisë gjermane. Dhe se paqja kantiane nuk mund të mbrohet me iluzione dhe pa u përgatitur si duhet në një botë që po bëhet gjithnjë e më hobsbiane. Prandaj, në vend të shpresave dhe ideologjive utopike për një rend “post-historik” ballafaqimi me realitetin, rreziqet dhe sfidat e kohës duhet të jetë imperativ i politikës shtetërore gjermane.

Sipas revistës Foregin Affairs, qeveria aktuale gjermane në asnjë moment nuk kishte shfaqur simptoma se dëshironte për ta braktisur qasjen e ish-kancelares Angela Merkel në politikën e jashtme, thelbi i së cilës ndërtohej mbi idenë e balancimit të interesave komerciale me ato të sigurisë. Po ashtu këtë strategji të politikës së jashtme karakterizonte aversioni për konfliktet militare, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Por, pikërisht sulmi i Rusisë mbi Ukrainë e hapi rrugën e këtij ndryshimi të domosdoshëm.

Historiani Frtiz Stern, i cili kishte emigruar nga Gjermania së bashku me familjen e tij drejt SHBA-së, për t’i shpëtuar Holokaustit, sipas kësaj prestigjioze amerikane, ka pohuar se deri më tani i ka parë disa Gjermani. E para ajo e Republikës së Weimar-it, më pastaj Gjermaninë Naziste të Rajhut të Tretë, Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore dhe Gjermaninë Lindore që mbet nën dominimin sovjetik, Gjermaninë e bashkuar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Murit të Berlinit. Dhe në fund bota është duke parë lindjen e Gjermanisë së gjashtë, e cila ka filluar të demonstroj vullnet për të ushtuar edhe “pushtet militar në mbrojtje të vlerave demokratike dhe liberale”.

Lirisht mund të themi, se askush s’ka kontribuar më shumë se Putini në lindjen e kësaj Gjermanie të re.

Të ngjashme