Kur na kap neve dalldia dhe sevdaja, e harrojmë Covidin

Prishtinë | 01 Maj 2021 | 11:20 | Nga Kimete Berisha

Valla more axhi infektolog, Kosova është e prekur nga ‘varianti i kënaqësisë’, s’i bjen kujt në mend sëmundja e vdekja.

Epikuri na ka lënë amanet, mos u merr me vdekjen tënde ka thënë, se vdekja jote nuk të takon ty.

Mirë e ka pasë.

Ne e kemi obligim jetësor të kënaqemi dhe të përmbushim premtimin e lumturisë në këtë botë. Të tjerat janë të shkruara!

Është problem, kur na kap neve shqiptarëve “dallga e zbavitjes”, kur na kap neve dalldia dhe sevdaja, e harrojmë vdekjen.

Është mekanizëm mbrojtës, është vaksinë shpirtërore kundër fatalizmit.

Se me t’thënë t’vërtetën, për shqiptarët më e rëndësishme është kënaqësia sesa jeta!
Se vetëm nëse kënaqesh – ndjehesh gjallë!

Qysh ndjehesh gjallë pa u kënaq, allahile!

Ajo ndjesia kur del n’teferiç,
deti para hundëve,
uji i njelmtë n’drita t’syve;
kënaqësia që e shkakton frika mos po mbytesh n’det e nuk mbytesh;
shetitjet buzë bregdetit, mbrëmjeve o Zot,
njoftimet e reja;
hareja dhe gëzimi i çastit;
shikimi nga ballkoni i perendimir të diellit…dhe, prit pak po e hamë edhe nga një akullore,
jetë o jetë.

Ajo ndjenja e ikjes nga Kosova, sidomos ikja nga monotonia është akti vendimtar i kënaqësisë,
ai mohimit i virusit ‘ec more se s’ka virus’, ‘vdekje ka pasur gjithmonë’!
“Po rrejnë” se nuk kanë qejf me na pá ‘tuj u knaq’.

Është ndjenjë e bukur kur të duket vetja më i mençur se mjekësia, më i zgjuar se faktet, nuk e han ti me t’mashtru.

Nëse nuk i beson virusit, nuk t’bjen.
Ky është misteri i kënaqësisë!

P.S. Kosova është plotësisht jashtë kontrollit.
As vaksina as kujdes, as pastërti, as dezinfektim!

Çudia e Zotit qysh po shpëtojmë pa u bërë lajm në botë!

Bota po ruhet, po vaksinohet, po mbyllet dhe s’po shpëton si ne!

Të ngjashme