Kureshtja për Albinin rritet sa më shumë që e pengoni

Prishtinë | 30 Jan 2020 | 22:22 | Nga Kimete Berisha

Është shumë me rëndësi që Albin Kurti të bëhet Kryeministër.

Ta shohim kush është Ai!
Si punon Ai?
Çka bën Ai bukur, kur pushon së foluri bukur?

Sot e pengoni ta bëjë qeverinë, por për nesër, po e forconi edhe më shumë, sepse është kureshtja ajo që e han macen.

Kureshtja për Albinin do të rritet, sa më shumë që do ta pengoni, sepse duke e penguar, ju e mistifikoni.

Dukeni si një mafi e organizuar politike që pengon ndryshimin.

E ndryshimi i vetëm sot është Albini.

Votuesit e tij dhe ata të pavendosurit nuk do të qetësohen derisa ta shuajnë kureshtjen.

Sepse Albini është “kureshtje”.

Jo domosdo Ju jeni hajna, kriminelë e banditë (anipse jeni).

Mund të ndodh që Ju të jeni edhe njerëz të mirë, por kjo nuk mjafton.

Sepse jeni kaherë këtu, jeni stërkequr, jeni të thjeshtë, joatraktivë dhe shumë të njohur.

Me asgjë hiç nuk mund ta zgjoni kureshtjen.

Është normale t’i ndryshosh mendimet.

Është njerëzore të mos i mbash premtimet, kur nuk ke më arsye t’i mbash ato.

Edhe premtimet e kanë kohën e tyre, dhe kur përmbushen me vonesë, s’i bien kujt në sy, si i përmbushe, si nuk i përmbushe.

Albini ka të drejtë të ndryshojë mendimin për Listën Serbe.

Unë edhe më zi se Ai, për sherr gjithmonë i kam nga dy mendime për të njëjtin problem.

Albin Kurti ushqehet dhe ‘rritet’ nga pengesat dhe problemet që ia bëni. Nuk u ‘krijua’ nga sefaja.

Mund ta mundni vetëm duke ia dhënë shansin të tregohet dhe të vet-demistifikohet.

Lëreni t’ia shuaj kureshtjen rinisë që e ka votuar.
Lëreni të bindemi se edhe ky është ‘si Ju’.
Ose ‘më i zi’ se Ju.

Mos e forconi më shumë duke e penguar.

P.S. Ndryshe, po e shndërroni në ‘simbol’.

Të ngjashme