Ndryshimi pa shenja jete

Prishtinë | 19 Shk 2022 | 09:09 | Nga Afrim Kasolli

Pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, në shkrimin “Vjeshta e ankthit zgjedhor” duke u bazuar ne teoritë e M.Foucalt, rezultatin e tyre e pata quajtur edhe si rezistencë lokale ndaj pushtetit qendror edhe si shprehje e asaj që thotë Chantal Mouffe në librin e saj “Agonistic-Thinking the World Politically”, se ta “mendosh botën politikisht do të thotë ta pranosh dimensionin ontologjik të negativitetit radikal”. Të pajtohesh se “ekzistenca e një forme të negativitetit kurrë nuk mund të tejkalohet në mënyrë dialektike dhe se objektiviteti i plotë po ashtu s’mund të arrihet asnjëherë, kurse antagonizmat mbeten një mundësi e përhershme e kësaj sfere”. Në këtë kontekst, mbroja tezën se konfiguracioni i ri politik ishte edhe një lloj reagimi shoqëror ndaj tendencave për “sintezë totale” të pushtetit qendror. Dhe kështu sistemi ynë e ruante karakterin e tij pluralist. Një kusht ky i domosdoshëm për një rend demokratik.

Ndërkohë, në kundërshtim me këtë shpjegim timin, nuk vonoi shumë kohë, dhe kryeministri Kurti e sajoi një tjetër interpretim për të njëjtin fenomen. Asgjë e jashtëzakonshme, sepse siç ka pohuar Niçe, “gjithçka është interpretim”. E sidomos politika.

Sipas tij, me raportet e reja të pushtetit që u krijuan pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, “krimi dhe korrupsioni kishte zbritur në nivel të komunave”. Pra, pas çmontimit të tij në nivel qendror, siç propagandonte ai për shkak të veprimeve qeveritare, fenomene të tilla tashmë paskan gjetur strehë në nivel lokal. Dhe janë riorganizuar në tjerë kapilarë të sistemit. Madje, në këtë drejtim kam qenë shumë më afër me kryeparlamentarin Konjufca, të cilin e pata akuzuar edhe publikisht për “plagjiaturë”. Sepse konstatimet e tij, mbi disa nga shkaqet e humbjes së Lëvizjes Vetëvendosje në ato zgjedhje ishin identike me ato që unë i pata artikuluar paraprakisht në të njëjtin shkrim të sipërmendur.

Sidoqoftë, me këtë nuk dua te them se ky reagim i kryeministrit ishte i drejtuar kundër meje. Se me këtë konstatim ai ka tentuar ta diskreditojë opinionin tim. Dhe t’i devalvojë tezat e mia. Se kryeminstri po sa të zgjohet nga gjumi në mëngjes nuk ka punë tjetër pos të merret me mua personalisht. As që më shkon mendja për fantazmagori të tilla. Sepse në të vërtetë ai këtë interpretim më shumë e ka sajuar për nevojat e veta. Pra për të justifikuar humbjen e partisë së tij në këto zgjedhje. Dhe për të qetësuar mbështetësit e tij.

Megjithatë, sot kur ka kaluar kohë që organet ekzekutive komunale janë konstituuar në të gjitha qytetet e Kosovës, ato po i karakterizon një letargji trishtuese. Nuk po them se janë shndërruar në agjentë të krimit, por më shumë i ka pushtuar një ngathtësi e përgjithshme në këtë fazë të veprimit. Ndërkaq, si thotë ajo fjala u urtë popullore “moti i mirë të tregon në mëngjes”, atëherë simptomat janë zymtore.

Asnjë shenjë serioze nuk po vërehet për një orientim të ri për zhvillim, sidomos në komunat e mëdha ku edhe ndodhi përmbysja e pushtetit paraprak. Sjellja e autoriteteve të reja komunale po u përngjason mumjeve buroktratike. Janë ngurosur prapa zyreve te tyre dhe pa dëshmuar ndonjë shkathtësi për kreativitet politik, ekonomik dhe kulturor. Nuk po spikat ndonjë tendecë për t’u veçuar si simbol i pushtetit të ri, përpos disa shfaqejeve protokollare dhe asgjë më shumë.

Me këtë qasje, mjerisht po përçohet mesazhi se në këtë nivel të pushtetit ka ndodhur vetëm një ndryshimi i autoriteteve qeverisëse, por jo edhe promovimi i një logjike të re politike. Janë promovuar disa emra të rinjë e disa janë ricikluar, mirëpo po vazhdon mendësia e rrethit vicioz. Kurse fryma e improvizimeve po shndërrohet në varrmihëse të ndryshimit të vërtetë edhe në këtë nivel të pushtetit në Kosovë.

Të ngjashme