Para dy sfidave të mëdha: Dialogu me Serbinë dhe uniteti si parakusht për suksesin e tij

Prishtinë | 21 Gus 2020 | 16:23 | Nga Liri Loshi

Amerika nuk ka zgjidhje politike për Kosovën, por ka një pako ekonomike për Beogradin dhe Prishtinën. Kjo është logjika e presidentit aktual Trump që njihet si “money talks” (paraja flet). Por, Serbia nuk e pranon këtë logjikë. Ajo është e gatshme që pa fije turpi ta marrë ndihmen ekonomike dhe ta refuzojë pakon politike që rrjedhimisht do të duhej të vinte me vonë.

Pra, pikërisht siç ka vepruar me synimin e saj për integrime me Evropën, duke mos hequr dorë asnjëherë nga pretendimet e saj për Kosovën. Takimi i dy shtatorit në Washington do ta konfirmojë mirëkuptimin amerikan për këtë politikë dyfytyrëshe serbe, ngjashëm me mirëkuptimin që ka treguar Brukseli zyrtar!

Serbia, me politikën dhe diplomacinë e saj ofenzive, ka vënë para aktit të kryer, jo vetëm Kosovën, por edhe fuqitë e mëdha të botës!

Shqiptarët janë para një situate të rëndë politike, më të rëndës që kemi pasur ndonjëherë. Zyrtarët e LDK-së kanë krijuar një narracion iracional sikur SHBA-ja ka çelësin magjik, të cilin do ta përdorë në dobi të shqiptarëve! Ky është vetëm një iluzion. Në anën tjetër, diplomacia serbe ka krijuar argumentin e vet të fuqishëm se shqiptarët janë të ngurtë në dialog për faktin se serbët janë të gatshëm për dy variante të zgjidhjes së problemit, kurse shqiptarët për asnjërën!

Dhe, bota perëndimore nuk lejon që shqiptarët të bllokojnë procese që kanë të bëjnë me të ardhmen e Ballkanit në Evropë. Kosova nuk mund të mbijetojë pa përkrahjen perëndimore në asnjë plan e sidomos jo në planin e sigurisë fizike dhe asaj ekonomike..

Kosova nuk është sugar i BE-së e nuk është as sugar i llastuar i SHBA-së! Ajo ose do tē sillet përgjegjeshëm, sipas përceptimit të botës demokratike, ose do të kalojë në izolim dhe vetmi. Ka dy zgjidhje të mundshme politike dhe asnjë variant të tretë.

Kēto dy opsione janë: Kosova me kufinjtë ekzistues dhe me Asociacionin e komunave serbe me kompetenca ekzekutive, ose ridefinim i kufinjve me Serbinë që nënkupton ndarjen e Kosovës në favor të Serbisë.

Uniteti i shqiptarëve, sadoqë është një element i rëndësishëm, nuk i ndërron këto opsione. As të qëndruarit anash i ndonjë subjekti politik, si Vetëvendosja për shembull, nuk ndihmon. Faktori shqiptar ka dy arsye për të qenë unik.

E para, për të vendosur se cili nga këto dy opsione është më i dobishëm për shqiptarët në planin afatgjatë: Kosova me Asociacionin e komunave serbe, apo Kosova e pavarur pa Veriun! Dhe, e dyta për të negocuar objektivin më të lartë, apo më të mirën e mundshme brenda cilitdo opsion për të cilin ajo përcaktohet.

Kjo është sfidë e madhe për ne, por nuk është situatë a pashpresë nëse bëhemi bashkë dhe vendosim se kah do t’ia mbajmë. Për t’u bërë bashkë është një sfidë tjetër. Tash duhet të gjenden modalitetet e unitetit dhe bashkëpunimit.

Pa Vetëvendosjen nuk mund të ketë marrëveshje dhe as nuk duhet të tentohet një gjë e tillë. Vetëvendosje është parti e rinisë dhe personitikim i njeriut të ardhshëm në Kosovë. Është gabim që këtij njeriu t’i përcaktohet e ardhmja e tij e ai të mos jetë pjesë e procesit.

Të ngjashme