Po, zotni Rama. Serbia mësyn me ardhë e me na marrë çdo gjâ

Prishtinë | 29 Kor 2021 | 20:41 | Nga Halil Matoshi
  1. Brigjet e rrugës kah po ecte kâmë Vučić në Shkup, deri te Ura e Gurit, i lag Vardari, ku Leo Frendlich më 1913 kish pa me sy mija trupa që uji i kush nxjerrë sipri.
    Ishin shqiptarë!
    Dhe ishin vramë e therrun me bajoneta mas betejës së Kumanovës.
    Për ato mizori të dokumentueme mirë, fakë edhe raportimeve nga fronti i Luftës së Parë Ballkanike, 1912 – 1913, ku Law Trotski kish ardhur si korrespondent për gazetën e majtë më të popullarizuar në Rusinë Jugore, “Kijevskaja misl”.
    “Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë që do të shihej në mëngjes ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit. Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët.”
    m
    Serbia erdhi dhe na mori çdo gjâ!

    2. Më 29 korrik, 2021, 22 vjet mas luftës së Kosovës, në të njâjtat brigje të lame me gjakun e paraardhësve, do shqiptarë (në kurthin e Edi Ramës) bajshin ‘selfie’ me treshen që prihej nga Vučić-i.

    3. I ekzaltuem nga mbështetja e ekscentrikut Rama, “Kralji i fundit serbian” Aleksandar Vučić tha se në “Ballkanin e Hapun” (Mini Schengen!???) nga Beogradi në Tiranë serbët do të shkojnë pa i ndalë kush!?
    Pse po kanë qef dytë (Vučić e Rama) mos me pasë asgjâ ndërmjet tyne!?
    Për me shku n’Tiranē, serbët duhet me kalu nepër nji shtet tjetër sovran, që quhet Republic of Kosovë!
    Vučić po e përdor Ramën trupmadh e mendjemadh, mos me e pa Kosovën ndërmjet tyne!

    4.Në anën tjetër Rama sikur të ishte në vitin zero, flet për nji Serbi të mirë (historikisht të mirë!?) dhe për parabojakët shqiptarë se Serbia si fuqi ma e madhe po vjen e na i merr të gjitha!?
    Ardhja e Serbisë nuk âsht mit. Ajo âsht fakt historik.
    Ajo kalli Lumën më 1912, Masi pushtoi Kosovën.

    Serbia erdhi dhe na mori çdo gjâ!

    5.Gazeta ‘Reichpost’ në artikullin me titull ‘Kasaphanja serbe në Shqipni”, përshkruente mizoritë e soldateskes serbe pikērisht në Shkup.
    “Thuhet se 100 nga 320 shqiptarë të plagosur në Shkup, u lejuan të vdisnin urie. Në një vend tjetër të rinjtë janë vrarë, kurse fëmijët janë shkuar me bajoneta. 12 mijë shqiptarë janë masakruar në Ferizaj. Fatkeqët u grinë pavarësisht moshës apo gjinisë. Njëzet e shtatë fshatra janë shkrumbuar në rrethin e Lumës, kurse gratë dhe fëmijët janë lidhur dhe janë djegur për së gjalli. Katërqind burra, që u dorëzuan, janë qëlluar…»
    Serbia erdhi dhe na mori çdo gjâ!

    6.Serbia u rikthy në Kosovë mas Luftës së Parë Botnore dhe me Reformën Agrare (1924) shpronsoi shqiptarët dhe i përzuni e vrau dheta mija, tue u marrin shpi e katandi.
    Njâjt ndodhi gjatë monarkisë së Aleksandar Karadjordjeviç!
    Serbia nër ‘yllin partizan’ e ripushtoi Kosovën më 1944 dhe vrau të paktën 15 mijë shqiptarë, burgosi e persekutoi qinda mija tjerë.
    Gjatë epokës se famëkeqit Aleksandar Ranković, dheta mija shqiptarë të Kosovës u torturuen dhe qinda u vranë.
    Lufta e fundit (1998-1999) realisht ishte gjenocid, sepse ekzistonte qëllimi i zhdukjës së shqiptarëve.
    Fashizmi serbian vrau 12 mijë shqiptarë dhe plaçkuti krejt çka munej me u bâjtë me trena e kamionë, e bâni shkrum e hi ekonominë e Kosovës, pra na mori çdo gjâ!?

    Serbia erdhi dhe na mori çdo gjâ!
    7. Cili âsht morali i asaj që thotë Edi Rama, se Serbia nuk âsht ajo e vjetra!?
    Kur Vučić blen raketat ruse‘Pantsir’ si dhe avionë Mig29 e dronë, ministri i tina i ushtrisë, Vulin thotë se ka me i nisë drejt Kosovës!?
    E Rama tallë ata shqiptarë që pandehkan se Serbia po vjen dhe ka me na marrë çdo gjâ që kemi!?
    Po.
    Serbia erdhi dhe na mori çdo gjâ!

    8.Serbia e Aleksandar. të tretit ‘vožd’, nuk e njeh Kosovën dhe don qe me nji “hopa” të zbresë në Tiranë, tue zhbâ nga harta gjeopolitike Kosovën për të cilën luftoi ShBA dhe NATO!?
    Dhe natyrisht kosovarët e UÇK-së!
    Serbia nuk ka hjekë dorë nga qëllimi final: Zgjidhja përfundimtare e çâshtjes shqiptare!?
    Me gjenocid.
    Serbia po mësynë me na marr çdo gjâ!
    Sepse, çdo gjâ qe kanë shqiptarët e Kosovës âsht liria kombëtare!
    Atë e synon Serbia, Zotni Rama!

Të ngjashme