Qeveritë shikojnë lart, ne jemi poshtë

Prishtinë | 05 Mar 2020 | 20:41 | Nga Shkumbin Gashi

Po të kundronte dikush se si zhvillohet jeta në vendin tonë, prej një observatori diku lart nga hapësira, do të shihte se sa fatkeqësive iu ekspozohen njerëzit e kësaj toke. Sa e mjerë dhe sa e ndyrë është zhvillimi ditor i saj, me sa padrejtësi dhe sa zhgënjime përballet njeriu i ri i saj, se sa e vështirë është të marrësh një edukim cilësor dhe me të të konkurrosh në treg, se sa e padrejtë është konkurrenca në atë treg.

Edhe më vështirë është të dalësh i gjallë nga një sëmundje jo të zakonshme. Se me sa cinizëm e injorancë të thellë përballesh nëse ke nevojë për drejtësi institucionale. Sa e vështirë është të jesh fëmijë i familjes së zakonshme, sa e vështirë është të jesh prind i ri dhe sa i përulur është të jesh i moshuar. Për cilin mëkat shoqëror, merituam ndëshkim hyjnor kaq të tërbuar?!

Cili zot në tërbim e sipër injoroi çdo gjë që për bazë zhvillimi ka arsyen? Nuk e dimë se cili, por me gjasë, Ai më i tërbuari. Kështu do të thoshte Roterdami duke i thurr lavde Marrisë. Vetëm një vend i marr dhe me një strukturë shtetërore të marrësh kanë sukses kaq të thellë e të gjerë.

Vrojtimet nga observatori si duket nuk janë aq të dukshme nga observatori qeveritar. Ata shohin vetëm gjëra të mëdha. Politika e jashtme amerikane është fokusi i vrojtimit të tyre. Për gjëra të imëta si problemet e brendshme socio-ekonomike nuk kanë ndonjë rëndësi krrupciale.

Deri sot, përveç idesë kreative rreth gjysëmheqjes së taksës dhe shkarkimeve nuk pamë gjë. Kjo vetëm sa e shtoi një temë të re të madhe duke mbuluar ato të imëtat.

Më kujtohet kur Albini thoshte se do të heqë barrën bizneseve për pajisjen me arka fiskale dhe do t`ua heqë at haraçin vjetor që kompania monopol merr për secilën arkë fiskale në Kosovë. Fiskalizimi i arkës minimalisht një biznesi individual i kushton 99€ ndërsa pajisja me arkë fiskale dhe fiskalizim njëvjeqar është rreth 700€, përafërsisht sa një furnizim fillestar.

Që në fillim, mbytet ideja e zhvillimit të një Start Up. Më shumë mendohet në subvencionimin e Start Up-eve se sa në heqjen e barrave institucionale që vet subvencionuesit i shpikin. Një qeveri e cila jep subvencione dhe në të njëjtën kohë nuk heq barrierat kreative të disa të marrëve që kanë zënë pozita “trashëguese” nëpër institucione shtetërore, është më e keqe se sa një qeveri e cila vetëm bën barriera marrëzirash, sepse së pari janë njësoj të marrë kur shpikin barriera kreative, ndërsa ajo që jep subvencion është edhe hipokrite. Vrojtuesi ynë nga observatori thotë se ne gjithmonë patëm qeveri që edhe krijon barriera edhe jep subvencione. Dallimi i qeverisjes së re duket se do të jetë aftësia e të shprehurit dëshirat qytetare më me finesë dhe stil.

Para disa ditësh e dëgjova kryeministrin i cili përmendi pagën 350€ si minimumi që ndërmarrja private duhet të paguajë! Nga ana dëshirore është e dëshirueshme, nga ana ekonomike është absurde dhe nga ana e arsyes është qesharake. Por të marrët kanë dëshira. Ata nuk dinë ekonomi dhe nuk kanë arsye.
Prandaj Kryeministri gjen ngrohtësi tek ta. Si mund të detyrosh biznesin privat të paguaj 350€ (edhe pse përsëri është pagë e ulët)?

Për të vazhduar tregimin përrallor të tij ai thellohet duke thënë se një pjesë të pagës do të subvencinohet nga qeveria! Në njërën anë është e padrejt ndaj taksapaguesve që t’i merren paratë dhe t’i jepen si pagë një punëtori që kurrë shërbim mund të mos i kryejë, dhe në anën tjetër, mos vallë ky me subvencionimin e një pjese të pagës dëshiron që edhe të shtetëzojë një pjesë të ndërmarrjeve? Kjo është absurde dhe këtë ai e di mirë, por cili djall humorist e shtynë të thotë këso kotësirash?

Me një cinizëm akut dhe me një dashamirësi sublime do t’i dëshiroja sukses qeverisë së Kosovës në ikjen masive të të rinjve. Duket urim i marrë, por dua të them se historitë ekonomike thonë se në një vend kur burimet natyrore janë të pakta, qeveriset në mënyrë ekstraktive dhe patrimoniale, ku institucionet e dijes kanë dështuar të krijojnë logjikën si bazë të mendimit dhe veprimit dhe ku në institucionet shëndetësore nuk gjen shërim atëherë investimi më i mirë është largimi i të rinjve. Ata janë si aksionet. Investohen jashtë dhe sjellin të hyra brenda në formë remitancash dhe shpenzime koti që i bëjnë dy herë në vjet. Ne që jetojmë këtu mendojmë t’i vjelim dhe të jemi të buzëqeshur me ta, sepse ata janë Aksione. Dividenta duhet marrë dy herë në vjet.

Të ngjashme