Traktat kundër bullizmit

Prishtinë | 05 Pri 2021 | 18:49 | Nga Halil Matoshi

1.
Mirë që qytetarë të shumë nuk po pajtohen dhe po e kritikojnë aluzionin e papranueshëm dhe pamatuninë e deputetit Ardian Kastrati.
Ai u bind shpejt për gabimin dhe e fshiu postimin!
Bâni apologji në mënyrën e tij.
Nëse kërkoni ta dënojmë shfaqjen e tillë pa selektim, rreshtohem, e nëse kërkoni linçimin e tij, solidarizohem me Kastratin.
Athua duhet ta djegim në turrë të druve?
“Ndjekja e shtrigave” nuk korrespondon me kohën tonë.

2.
Disa ekspertë mendojnë se nëse bullizuesit nuk paraqesin kërcënim fizik, ata janë “tigra prej letre”.
Nëse u rezistoni atyne me qetësi dhe me racionalitet – pa e mohu të drejtën me i përballë – ata do të zmbrapsen.
Thueni jo gozhdimit!

3.
Keq qe askush nuk po merret me bulizmin e Konicës, (ndonëse tekst i shkruem para ni shekulli) shkrimi i të cilit u përdor nga Kastrati si aluzion, që nji komb i tânë e ka naltësu tek viganët!?
Edhe pse shpesh racist, ni republikë e tânë letrash e ka bâmun idol të shkronjtarisë!?
Sepse shkroi dhe perla.
Qysh me u fshi “postimi” i Konicës nga profili i letrave shqipe!?
Njerëz, pra të gabueshëm!
Konica ishte ni nga ne!
Ndal Bullizmit! – Fillon nga unë!

4.
Mos heshtni kur lëndohet “i shëmtuemi” i tyne nëse keni qef me e mbrojtë nga lëndimi “të shëmtuemin” tonë.
Të lënduemit “e tyne” nuk dhemb ma pak se të lënduemit “tonë”!?
Thueni jo bullizmit e racizmit.
Pa selektim.

5.
Ni shoqni e tânë u ngrit në mbrojtje të Ardiana Matoshit kohë ma parë dhe bâni mirë, sepse pati ni soludarizim masiv me aktoren e njohtun, gjë që ndikoi në vetëdijesim dhe ndërgjegjësim të publukut, me e marrë anën kundër ngacmuesve.
Por, bullizmi e seksizmi si dhe racizmi i pavetëdijshëm gjuhësor e kulturor, i ka rrâjtë e fella në shoqninë tonë ende me nota të forta patriarkale.
Vetëm para gjysmë shekulli, gratë e bukura duhej të ishin të shëndosha (për nuset e bukura, në traditën kosovare âsht thânë: “e bardhë si tamli, ftyrën si fun’ buke, qafen si gastare, sytë si filxhan, vetullat gajtan dhe “dera s’po e zinte nusen”), pra tendenca me theks përshkrues të karakteristikave trupore e dokës, që moderniteti e njeh si bullizëm, kishte tjetër konotacion tek shqiptarët e shekullit të kaluem.

6.
Mbrojtja e Vjosa Osmanit si person dhe grua, nga të gjithë, prej gjuhës së bullizmit të jep ndjesi të mirë, kurajuese.
Porse, ni mbrojtje e tillë edhe munet me qenë përfituese, sepse ajo âsht grueja ma e pushtetshme në vend!?
Mendoni, Ganimete Musliun, ni zojë e sakrificës në luftën çlirimtare, pak kush nga zânat e sotshëm kumbues i dolën në mbrojtje kur ofendohej e bullizohej, ose Melihate Tërmkollin, (kur ni figurë publike e bullizoi nga ni studio televizive) e shumë e shumë gra e burra tjerë, që kur tjerët i lënduen, ne nuk i mbrojtëm, sepse i pandehim se përkasin në taborrin “e tyne”, “taborrin anmiqsor”, “Ancién Regime” etj.

7.
Ngacmuesit përdorin fjalë dhe veprime lënduese me qëllim për të dekurajue të tjerët. Mirëpo edhe vet ata, bullizuesit janë të stresuar ose të zemëruar dhe nuk dinë si ta shprehin atë.
Ata tue mos ditë si me e zbrazë zemërimin e tyne, përpiqen me e bâ dikë tjetër me vuajë me ta!?
Por duhet me vù në spikamë se ka ni formë të pavetëdijshme të bullizmit.

8.
Mos i gozhdoni e linçoni vdektarët “e tyne”, tue i mbrojtë të pavdekshmit “tanë”.
Sepse kështu i lëndojmë njerëzit e margjinave të shoqnisë – i mbrojmë gjysmëhyjnitë e qendrës, të fuqishmit.
Jemi shoqni që stigmatizon të dobëtin dhe merr anën e të fortit.
Thjeshtë, shoqni lehtë e konvertueshme.

9.
Shumë aktiviste për të drejtat e grave e grupe feministe ngritën zânin me të drejtë kundër këtij aluzioni (sepse teksti nuk ishte autorial) por asnjânës nuk i shkoi mendja tek trafikimi i grave nga burrat e fortë, për përfitime politike (fuqi politike) në Kuvendin e Kosovës!
Sepse kjo shoqni vuen nga amnezia dhe reaksioni selektiv.

10.
Konkurrentë agresivë në lojë e shkollë, arte, biznes, sport, politikë si dhe në pëlqim ndërgjinor – rëndom tue pa vetën ma poshtë në kierarkinë e gjasës – bullizojnë.
Njerëz të mirë – njerëz të kqij – njerëz të mjerë.
Si çdo popull e vend tjetër, kudo në botë.
Porse, qasja selektive kundër bullizmit na bân shoqni shumë hipokrite!

Të ngjashme