UÇK-ja ngadalë po përjashtohet si vlerë nga institucionet e Kosovës

Prishtinë | 12 Dhj 2020 | 15:13 | Nga Faton Abdullahu

Disa dojnë me pru punën deri aty sa që nëse e lavdëron UÇK-në kjo t’i bie se po i lavdëron hajnat, nëse flet fjalë të mira për UÇK-n t’i bie se po i lavdëron vrasësit.

Dikush kaherë është duke punuar shumë dhe me djallëzi në këtë drejtim. Rezultatet e para të kësaj marrëzie po shihen tani.

Kjo mendësi ngadalë por pa hezitim ka për qëllim ta përjashtojë UÇK-në si vlerë nga institucionet e Kosovës. Plani është që boshllëkun e krijuar me këtë përjashtim ta mbushin me diçka tjetër.

Ka përpjekje që gjithnjë e më shumë vlerat e luftës dhe luftëtarët të mos mbrohen nga institucionet tona. Shembull për këtë është aktiviteti “Liria ka emër”. Këtë do të duhej ta bënin institucionet tona e jo njerëz të vullnetit të mirë, sepse herët a vonë kjo davaritet.

Edhe bojkotimi i UÇK-së ka emër. Këta duhet të kundërshtohen – këta duhet të ndalen. Pro-uesternizmi ynë në përgjithësi dhe të qenit pro politikave evro-atlantike nuk mund të vazhdohet duke e harruar dhe duke mos i mbrojtur vlerat e luftës. Këto dyja nuk mund të shkojnë ndaras.

UÇK-ja nuk është vlerë për një përdorim, nuk është për një qeveri apo për një parti. Ajo është vlerë që i bën ballë kohës, sepse është e shkruar thjeshtë me gjak, prandaj nuk shlyhet me kalimin e kohës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme