Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan ka kërkuar nga Inspektorati i Komunës të mos qëndrojë symbyllur ndaj bizneseve dhe qytetarëve të cilët po e ndotin ambientin nga ngrohja me thëngjill.
Sipas këtij subjekti opozitar, përdorimi i kësaj lënde djegëse është e ndaluar me Udhëzim Administrativ, shkruan sot “Koha Ditore”. Po ashtu, kanë sugjeruar Inspektoratin të shqiptojnë sa më shumë gjoba edhe për ndotësit e tjerë të ambientit nga mbeturinat e ndryshme.
Në anën tjetër, sipas raportit të Inspektoratit të Komunës së Lipjanit për muajin tetor të këtij viti janë bërë 17 inspektime me procesverbale për ndotje të ambientit në përgjithësi dhe janë shqyrtuar gjithsej 36 lëndë të kësaj fushe.
Nëpërmjet një komunikate për medie, ky subjekt ka thënë se Inspektorati i Komunës po qëndron “symbyllur” ndaj ndotjes së ambientit.