Opozita në Prishtinë voton ndryshimin e rregullores për menaxhimin e mbeturinave, synohet riciklimi i tyre

| 05 Dhj 2024 | 17:13 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Re, kanë votuar propozimet për Ndryshim-plotësimin e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Ky vendim, u mbështet nga 27 asamblistë, raporton Ekonomia Online.

Asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje  Faton Zeka ka potencuar se gjendja me mbeturina në Prishtinë është e mjerueshme, sipas tij, nuk ka as mjete e as kushte të favorshme për punëtorët e ndërmarrjes.

“Gjendja e mjerueshme në ndërmarrjen e juaj nuk është për shkaqe natyrore por për shkak të keq menaxhimit të vazhdueshëm ndaj asaj ndërmarrje. Ka vite të tëra që Prishtina është e mbuluar me mbeturina dhe kjo ndërmarrje nuk ka arritur që të menaxhoj këto mbeturina. Nuk është në gjendje të operojë siç duhet. Punëtorët i lënë edhe pa rroba të duhura dhe mjetet e duhura”, ka thënë Zeka.

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Muhamet Selmani ka thënë se komuna duhet të krijojë mundësi të reja dhe t’iu dalë në ndihmë punëtorëve.

“Komuna përmes mundësive të veta të dalë në ndihmë kësaj ndërmarrje por nga ajo që shohim ne sidomos me kontrata që ka lidhur kjo komunë. Shohim se është e kundërta se ajo që parasheh ligji, komuna do të paguajë operatorit 5,80 cent por me kompaninë qe e ka bërë kontratën e shohim që është lidhur e kundërta me mundësitë dhe rregullat e përcaktuar për menaxhimin e mbeturinave të kryeqyteti. Nga ajo që shohim nga tabela e kësaj kontrata lë për të dëshiruar, ne jemi të detyruar ta ndryshojmë këtë rregullore me qëllim që të ndalohet nga keqpërdoruesit”, ka thënë Selmanaj.

Nga VV-ja Feim Osmani ka vlerësuar se kjo projekt-rregullore ka qenë skandaloze.

“Një rregullore e cila nuk ka pasur parasysh asnjë nga vërejtjet që kanë dhënë palët e interesuar dhe ka qenë projekt-rregullore skandaloze. Gjendja me mbeturina ka qenë e keqe, kërkoj që paragrafi një të ndryshohet”, ka thënë ai.

Gëzim Mehmeti nga AKR-ja ka propozuar riciklimin e mbeturinave që sipas tij, kjo përveç që ndikon pozitivisht në ambient, krijohen edhe 200 vende të reja të punës.

“Plotësohet më një fjali qe thekson qëllimin për te përmirësuar ndërgjegjësimin e publikut duke promovuar riciklimin dhe mbetjet tjera. Jo për fat të mirë Prishtina ka 70 për qind vlere të mbeturinave dhe nuk kemi riciklim, përveç 900 punëtorë kritikohen vende të reja të punës deri në 200 vende”, ka thënë Mehmeti.

Këtë seancë e bojkotoi Lidhja Demokratike e Kosovës.

Të ngjashme