Njohësi i fushës së banimit dhe ndërtimit, Driton Tafallari, tha se është jo e moralshme që në fund të mandatit, kryetari Përparim Rama të tentoj të miratojë Planin Zhvillimor Komunal 2025-2033, raporton Ekonomia Online.
Ai këtë deklaratë e bëri pas dështimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, në të cilën ishte paraparë që të diskutohej propozim-vendimi për lënie në shqyrtim publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.
Sipas Tafallarit, një veprim i tillë është jo vetëm i ngutshëm, por edhe i papranueshëm nga aspekti moral dhe demokratik.
Ai gjithashtu kritikoi mënyrën e trajtimit të konsultimeve publike, duke thënë se afati 30-ditor i paraparë nga komuna nuk është i mjaftueshëm për shqyrtimin serioz të një dokumenti të tillë.
“Plani Zhvillimor Komunal është dokumenti i dytë më i rëndësishëm në Kosovë pas Kushtetutës së Kosovës. Ka për qëllim rregullimin e jetesës së të gjithë qytetarëve që jetojnë në qytet. Është jo e moralshme që në fund të mandatit të tentohet të miratohet një plan kaq i rëndësishëm. E dyta, sa i përket transparencës, këta po thonë që po japin një afat 30-ditor për konsultime publike, por kjo nuk është moralisht korrekte, për arsye se 30 ditë nuk janë të mjaftueshme për të analizuar një dokument që është në draft final. Ne e dimë se si funksionojnë debatet publike, është një procedurë shumë formale, ku është tentuar që të kalohet ky plan zhvillimor komunal pa debate të mirëfillta nëpër lagje ose vende të ndryshme. Duhet të pyeten qytetarët nëse janë pro ose kundër këtij plani komunal,” tha ai.