Opozita në Serbi del me Deklaratë për pajtim mes serbëve e shqiptarëve

Prishtinë | 25 Maj 2019 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Partia e Lirisë dhe e Drejtësisë (SSP) në Serbi prezantoi sot një propozim-Deklaratë për pajtimin e popullit serb dhe shqiptar i cili parasheh mënyrën e zgjidhjes së problemeve të jetës së njerëzve ndërsa çështja e statusit mbetet mënjanë, sepse, siç thonë nga kjo parti, në këtë moment nuk mund të zgjidhet për shkak të pozicioneve krejtësisht të kundërta.

“Kjo Deklaratë bën thirrje për pajtim, për promovim të gjërave të mira nga e kaluara e përbashkët dhe heqje të pengesave”, ka thënë nënkryetari i SSP-së, Borko Stefanoviq, shefi i dikurshëm i ekipit negociator të Serbisë me Kosovën, në një konferencë me gazetarë, duke shtuar se “oligarkitë e alienuara” në Beograd e Prishtinë nuk mund të sjellin pajtimin.

Ai tha se ky dokument paraqet “drejtimin e qartë të lëvizjes për dy popujt të cilët nuk dëshirojnë të jenë të robëruar në llogoret e urrejtjes dhe mosmarrëveshjeve të vazhdueshme”.

“Vizioni ynë për sa i përket statusit të Kosovës e Metohisë është i njohur, por ne s’duam që ta ekspozojmë atë në këtë dokument”, tha Stefanoviqi, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.

Ndërkaq, kryetari i SSP-së, Dragan Gjillas, tha se problemet e jetës së mund të zgjidhen “bashkërisht, nëse jemi të gatshëm, të hapur, dëshirojmë të bashkëpunojmë, natyrisht me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare”, ndërsa theksoi se regjimet në Beograd e Prishtinë e shfrytëzojnë problemin e Kosovës për “qëllime të brendshme politike”, transmeton Koha.net.

“Kjo do të jetë politika partiake që do ta zbatojmë kur të jemi në pushtet, do të insistojmë në këtë si dokument fillestar për bisedime të mëtejshme”, tha GJillasi, duke shtuar se “jeta nuk i pret politikanët” dhe kështu problemet duhen zgjidhur sa më parë.

Ai deklaroi se nuk do të marrin pjesë në seancën e së hënës në Kuvendin e Serbisë ku presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të flasë për Kosovën.

Deklarata e propozuar parasheh miratimin e një sërë protokollesh – mbi bashkëpunimin e sistemeve të sigurisë dhe drejtësisë, lirinë e lëvizjes, zgjidhjen e çështjeve të së drejtave pronësore, bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunimin në fushën e kulturës, sportit, medias, arsimit, shëndetësisë.

Në Deklaratë thuhet po ashtu se momentumi aktual politik e historik kërkon zgjidhje të guximshme dhe afatgjate, por assesi “zgjidhje të shpejtë që kërcënon nxitjen e përleshjeve në Ballkan”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme