Në kuadër të vendimit për të përshkallëzuar aksionin, opozita në Shqipëri vendosi të zgjerojë hartën e bllokimit të rrugëve. Ndryshe nga një javë më parë, nga 5 akse kombëtare, rrugët që do të bllokohen sot janë 12, ndërsa ndryshim ka edhe në kohëzgjatje, nga 1 orë qarkullimi do të paralizohet 2 orë.
Detajet e aksionit kryedemokrati Basha i ndau me aleatët historik pasditen e së mërkurës në selinë blu, ndërsa më herët ditën e nisi me një vizitë në zyrën e Monika Kryemadhit në selinë e LSI.
“Në orën 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim, si një përshkallëzim i mosbindjes civile. Paradite në orën 11:00 do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për të hapur rrugën e dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë tranzitore. ”- tha Lulzim Basha, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.
Edhe pse mbështesin përshkallëzimin e qëndrimit, aleatët historik të Bashës kërkojnë zgjidhje përmes dialogut, por kryedemokrati është kundër uljes në një tryezë me Ramën.
5 aleatët historik të Bashës i kanë kërkuar Presidentit të thërrasë tryezën e partive, por përpjekja për të zgjidhur me dialog krizën politike mesa duket ka hasur në pengesën e parë brenda vetë radhëve të opozitës.