Opozita ka caktuar datën për protestën e radhës.A2 CNN ka mësuar se opozita do të dalë sërish në protestë të hënën e 8 korrikut, në orën 20:00.
Si para, ashtu edhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit opozita dhe aleatët e saj kishin konfirmuar se aksioni i tyre do të vazhdonte deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Data e mbajtjes së protestës së 10-ë të opozitës së bashkuar u vendos pas takimeve që kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi me aleatët, krerët e partisë në rrethe dhe kryebashkiakët e djathtë.
Pas takimit me krerët e degëve dhe të bashkive të djathta, Basha bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e 10 kombëtare.
“Dua të falënderoj nga zemra mbi 85% të shqiptarëve, dua t’i ftoj këta shqiptarë dinjitoz të na bashkohen ditën e hënë në orën 20:00 në një protestë të madhe, për të vazhduar të vendosur betejën tonë për çmontimin e diktaturës. Të gjithë bashkë në orën 20:00 në protestë”, u shpreh Basha.