Siç ka mësuar lajmi.net, ne këtë mbledhje pritët që të shkarkohen të gjithë Aksionarët e Ndërmarrjeve Publike.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së në Asamblenë e Prishtinës, Halim Halimi ka thënë për lajmi.net se nëse kryetari Shpend Ahmeti nuk thërret seancë të rregullt në një afat të shkurtër kohore, atëherë këtë do ta bëjë opozita. Halimi ka thënë se në njërën prej pikave që do të diskutohej në Asamble do të ishte edhe problemi i Ndërmarrjet Publike, por nuk ka treguar nëse do të merrej iniciativë për shkarkimin e Aksionarëve.
“Nëse nuk thërret kryetari Ahmeti seancë për të diskutuar për problemet dhe disa çështje imdedjate, atëherë këtë do ta bëjmë ne. Nevojiten 17 vota për seancë dhe ato sigurohen brenda pakë orëve. Pra, po e presin veç edhe pak dhe do të fillojmë me mbledhjen e nënshkrimeve. E gjithë opozita po kërkon që të mbahet mbledhja e rregullt. Nëse thirrët seancë e jashtëzakonshme, ne si LDK, kemi menduar që të diskutohet në mënyrë urgjente për Ndërmarrjet Publike, ngase janë punët keq në pothuajse të gjitha”, tha Halimi.
Kryetari i Kuvendit të Prishtinës, Agim Kuleta që vjen nga radhët e Lëvizjes për Bashkim nuk ka dashur të flas asgjë rreth mos mbajtjes së seancës së rregullt. Nuk kanë folur as autoritete drejtuese të Komunës së Prishtinës.
Ndryshe, në mbledhjen e fundit që ishte mbajtur në Asamblenë e Prishtinës, me iniciativë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me votat e PDK –LDK ishte shkarkuar një Aksionarë në Ndërmarrjen Publike Banesore.