ORCA: Jemi në fund të pusit! EdGuard: Rangimi në PISA reflektim i gjendjes në shkollat tona

Prishtinë | 05 Dhj 2023 | 16:34 | Nga Valmira Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) dhe Instituti EdGuard, dy organizatat më serioze që monitorojnë dhe angazhohen për përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë, kanë shprehur shqetësimin pasi Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Nxënësit kosovarë janë ranguar në vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, duke rënë për 11 pikë nga viti 2018.

Drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci, ka thënë për Ekonomia Online se sektori i arsimit gjendet në “fund të pusit” dhe kjo duhet që të trajtohet me urgjencë nga ana e Qeverisë. Kurse, Rinor Qehaja nga EdGuard vlerëson se shkaqet kryesore të dështimit në PISA janë dështimi i institucioneve për të garantuar një mësimdhënie cilësore dhe që shkon përtej vetëm memorizimit, por që nxitë logjikën dhe interaktivitetin tek nxënësit.

“Për shembull, Kosova është një prej vendeve me rrezik shumë të madh në shkolla në krahasim me vendet e tjera. Është një prej vendeve me më së paku të pajisur me kompjuter edhe me teknologji, është një prej vendeve gati të fundit, e katërta prej fundit. Po ashtu ka probleme me autonominë e drejtoreve të shkollave”, tha Gjinovci.

“Testi PISA po thotë që vendet ku kanë përformuar mirë nxënësit zakonisht e kanë të rregulluar në atë mënyre sistemin shkollor që drejtorët kanë shumë kompetenca në punësimin e arsimtarëve, si rrjedhojë e rezultatit janë ma të mira se ka njerëz konkretë që i shtyn tërë kohën shkollën me performu sa më mirë. Dhe problemi që na e dimë Kosovë është analfabetizmi në mesin e mësimdhënëseve dhe arsimtareve duheni me ditë që nëse kemi pafund analfabetë nëpër shkolla që janë si arsimtar, si mësues, nuk mundet prodhimi i tyre me qenë tjetër veçse nxënës siç është rasti ynë 83% të nxënësve tonë nuk dinë me lexu, pra e lexojnë tekstin nuk kuptojnë çka po thotë teksti”, tha ai.

Ai tha se sektori i arsimit gjendet në “fund të pusit” dhe se kjo çështje duhet që të trajtohet me urgjencë nga ana e qeverisë.

“Unë mendoj që ka ardhur koha me u mbledh shumë seriozisht, me pranu që jemi në fund të pusit, për me ndryshu gjendjen. Për sa kohë Qeveria dhe Ministria e Arsimit kanë tendenca për me mohu rezultatin negativ, kanë tendenca për me thënë që nuk duhet gjithçka me këqyr negativisht, kjo tregon se nuk e kemi nijet me u përmirësu. Kosova ka numër alarmant të njerëzve që nuk dinë me lexu, që është 83%. Nuk po hi te matematika, edhe te shkenca, se kjo mandej është veç luks për një vend si na. Djemtë nuk din me lexu 86%, vajzat nuk din me lexu 79%, pra kemi mbi 15-vjeçarë tash, 83% prej të cilëve nuk dinë me lexu”.

“Nga këta njerëz, ne presim që kanë me përvetësu profesione edhe kanë me krye punë në të ardhmen për me i shërbye shoqërisë. Me këto rezultate mund të ju them që jemi tërësisht të pasigurt me jetu në Kosovë. Nëse kjo nuk është alarm i mjaftueshëm për një kryeministër dhe për një qeveri unë nuk e di çka është”, tha ai.

Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se rezultati nuk është befasues, pasi është reflektim i gjendjes në shkollat tona.

“Shkaqet janë të shumta. Burimi i tërë problemit është dështimi i institucioneve për të garantuar një mësimdhënie cilësore dhe një mësimdhënie që shkon përtej memorizimit, por që do nxiste logjikën dhe interaktivitetin në klasë dhe u zhvillon ato shkathtësi dhe aftësi të rinjve tanë që iu shërbejnë për jetë. Kjo na reflektohet drejtpërdrejt edhe në rankim dhe në rezultate të testit PISA. Pra rezultati në vete nuk është befasues, pasi është reflektim i besueshëm dhe statistikisht valide se cila është gjendja në shkollat tona”, tha ai.

Qehaja shtoi që ajo që duhet të garantojnë institucionet tona janë zbatimi i kurrikulave, duke mundësuar që ato të gjejnë zbatim dhe përkrahjen e duhur për mësimdhënësit.

“Institucionet duhet të garantojnë që kurrikulat të bazuara në kompetencë dhe po gjen zbatim në shkollat tona që mësimdhënësit tanë e kanë përkrahjen e duhur me zhvillim profesional që ta ofrojnë një mësimdhënie atraktive që nxit përfshirjen e nxënësve dhe me e rëndësishme duhet të garantojnë mekanizma të mirëfilltë që dëshmojnë dhe garantojnë që mësimdhënia që na ofrohet në shkollat tona bëhet në komfort standardeve të pritshmërisë për një cilësi më të mirë”, tha ai.

Ai theksoi që këto rezultate janë reflektim i gjendjes reale dhe asaj të vërtete në vend, dhe se shqetësimi ndërkombëtarë në këtë rast, sipas tij nuk është shqetësim i madh, por më i madh duhet të jetë shqetësimi ndaj të rinjve të cilët po ekspozohen ndaj një sistemi arsimor që nuk po iu ofron asgjë.

“Këto rezultate janë reflektim i gjendjes së vërtetë dhe si të tilla prezantimi ndërkombëtar duhet të jetë shqetësimi më i paktë. Ai më i madhi duhet të jetë përgjegjësia karshi të rinjve të këtij vendi, të cilët po ekspozohen ndaj një sistemi arsimor dhe është padrejtësi sepse tash u bënë vite duke u ofruar asgjë”, tha Qehaja për EO.

Të ngjashme