ORCA: UP-ja ta trajtojë seriozisht mungesën e punimeve shkencore në shumicën e fakulteteve

Prishtinë | 18 Tet 2018 | 13:23 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim “ORCA” ka prezantuar analizën e publikimit shkencor të profesorëve në Universitetin e Prishtinës për vitin 2018.

Adea Kondirolli, hulumtuese në ORCA, tha se sipas analizës del se UP ka numër të vogël të punimeve të publikuara në revista shkencore.

Sipas analizës, 55% e profesorëve të UP-së kanë së paku një punim të publikuar në revistë shkencore me koeficient. Ndërkohë që 208 profesorët e tjerë nuk e kanë asnjë punim shkencor të publikuar në revistë shkencore me koeficient.

Ajo tha se fakultetet e shkencave ekzakte kanë shumë më shumë punime të publikuara nga profesorët e tyre në revista shkencore në krahasim me fakultetet e shkencave sociale dhe humanistike, raporton Ekonomia Online.

“Në vitin 2017 në UP kanë qenë 1320 punime, ndërsa në vitin 2018 janë 1735. Përpjesëtuar me numrin e stafit akademik në 2018 që është 465 profesorë, del që një profesor në UP ka mesatarisht 3.7 punime. Vitin 2017 kjo mesatare ka qenë 2.7”, tha Kondirolli.

Fakulteti me më së shumti punime për profesor, sipas analizës, është Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore.

“Fakulteti me më së shumti punime për profesor është Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore me 8 punime, ndërsa sa i përket fakulteteve të shkencave joekzakte prin Fakulteti i Edukimit me 2.6 punime për profesor, që është nën mesataren e përgjithshme të UP-së. Fakulteti me më së paku punime për profesor është Fakulteti i Filologjisë me 0.92 punime për profesor”, tha Kondirolli.

“Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës duhet të trajtojë seriozisht mungesën e punimeve shkencore në shumicën e fakulteteve”, tha ajo.

Faton Berisha, prorektor, tha se ORCA po bën një punë të mirë ku, sipas tij, është bërë një organizatë që kërkon të metat e UP-së dhe i bën publike.

“ORCA ka avansuar nga një organizatë që përpiqet të gjejë dikund një të metë dhe ta godasë Universitetin me një organizatë që bën analiza statistikore, merret me punime dhe shikon se çfarë kanë bërë profesorët”, tha Berisha.

Berisha tha se kjo analizë i bën nder edhe UP-së, pasi që ka hapësirë ta përmirësojë stafin akademik dhe punimet e tyre.

“Shkencat ekzakte ia kanë marrë dorën më shumë sesa fakultetet e shkencave sociale dhe këto janë fakte”, tha Berisha.

“Universiteti i Prishtinës ka shumë për të bërë, por mendoj se së pari profesorët t’i përditësojnë CV-të dhe të mos mbështeteni vetëm në CV të tyre, por edhe të merrni nga bazat akademike përpara të dhënave në CV-të e tyre”, tha ai.

Berisha kritikoi ORCA-n e cila nuk po merret në mënyrë të barabartë me universitetet publike në Kosovë por është fokusuar më shumë tek Universiteti i Prishtinës dhe kjo, sipas tij, nuk është e barabartë dhe e drejtë.

Të ngjashme