Organizatorët e protestës që u mbajt sot para ndërtesës së Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) thonë se nuk qëndrojnë prapa parullës “Poshtë kapitalizimi”, e cila u shfaq në protestë.
“KEDS-i t’i kthehet Kosovës” ishte një nga mbishkrimet, që kërkonte kthimin shtetit, të ndërmarrjes së privatizuar.
Por, Dibran Hoxha, nga ORCA, një nga organizatorët e protestës, tha për Ekonomia Online se parulla “Poshtë kapitalizimi” nuk ka qenë në listën e parullave të përgatitura nga grupi organizativ.
“Kanë mujt me qenë grupe që janë përfshi jashtë organizimit, grupit bazë. Nuk janë ato parullat zyrtare të protestës. Parullat zyrtare të protestës janë ato të cilat ne i kemi thirrë me megafon”, tha Hoxha.
“Me thënë të drejtën as nuk e paskam parë”, u shpreh Hoxha, për parullën, e cila ka nxitur reagime nga personalitete të ndryshme nëpër rrjetet sociale.
“Parullat ne i kemi vendosur dhe i kemi shtypur tonat… Ne nuk kemi pasur kapacitete me menaxhu në kuptimin që vjen dikush edhe e fut një pankartë sipas bindjeve të tij”.
“Grupi organizativ nuk e ka listuar atë parullë si të veten”, insiston, kur pyetet nga gazetarja nëse distancohen nga parulla.
Kundër shfaqjes së kësaj parulle, ka reaguar gazetari dhe pronari i “Periskopit”, Ilir Mirena.
“Çka doni me ba pasi ta rrezoni kapitalizmin? Çfarë modeli keni gjetë me e zëvendësu, atë të Bashkimit Sovjetik, Kinës, Koresë Veriore, ish-Jugosllavisë, me kooperativa, kolektivizim, një parti, një medium, një lider, një mendim, një uniforme…?”, ka shkruar Mirena, në Facebookun e tij.
“Është kah mungon vetëm edhe ‘Poshtë Amerika’”, ka shkruar Bekim Kabashi, nga “Reporteri”.
Pamje nga protesta e sotme: