Osmani: Amerika nuk na shpëtoi me fraza boshe, por me veprim e vendosmëri

Prishtinë | 04 Kor 2026 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Ish-Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e shpëtuan Kosovën me “fraza boshe” apo “debate të kota”, por me veprim dhe vendosmëri.

Përmes një postimi, në të cilin ka ndarë një pjesë nga fjalimi i mbajtur në festën për nder të 4 Korrikut, Osmani ka vlerësuar rolin e SHBA-së në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

“Amerika nuk na shpëtoi jetën nëpërmjet frazave boshe, ligjëratave historike apo debateve të kota, por me veprim e vendosmëri. Kur disa hezitonin e fshiheshin prapa fjalimeve, Amerika veproi. Kur disa fshiheshin prapa interpretimeve të ligjeve, Amerika veproi. Kur disa thirreshin në miqësi historike me Serbinë, Amerika veproi”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar se SHBA-ja veproi mbi parime dhe vlera njerëzore, duke përmendur ndërhyrjen ushtarake, mbështetjen financiare, ekspertizën dhe kontributin e ushtarëve amerikanë.

Sipas Osmanit, liria e Kosovës “ka gjurmë amerikane kudo”, duke përfshirë jetët e shpëtuara, institucionet e ndërtuara, Deklaratën e Pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare.

Presidentja ka shtuar se, kur Amerika kërkon veprim nga Kosova, vendi duhet t’i përgjigjet me të njëjtën vendosmëri dhe miqësi.

“Si 17 Shkurti, ashtu edhe 4 Korriku simbolizojnë të njëjtën gjë: lirinë. Një liri e ndërtuar mbi sakrificë e aleanca. Një aleancë që do të rrojë po aq sa shteti i Kosovës: përgjithmonë”, ka shkruar Osmani.

Të ngjashme