Osmani: Besojmë në marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, hapet rruga për organizata ndërkombëtare

Prishtinë | 17 Mar 2023 | 10:23 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë i hap rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Ndërsa, ka thënë se Kosova në Ohër shkon me mendësinë e arritjes së një marrëveshjeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, raporton Ekonomia Online.

Pas takimit me emisarin amerikan për dialogun, Gabriel Escobar, Osmani tha se çdo tendencë nga Serbia për ta penguar këtë marrëveshje do ta dëmtojë procesion e dialogut.

Por sipas saj tendencat e Serbisë që përmes kushtëzimeve ta pengojë këtë rezultat, mund ta dëmtojnë në tërësi procesin e dialogut.

“Në besojmë që një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, ku trajtohemi si dy shtete të barabarta, është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi si dhe me shpresë për një rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për ta penguar këtë rezultat përmes kushtëzimeve mund ta dëmtojë pastaj tërësisht procesin e dialogut”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka folur edhe për pritshmëritë që ka nga takimi. “Pritshmëria ime si presidente është se marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete të prekshme, për Kosovën, rrjedhimisht do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serbe në institucionet e Republikës, kjo do të rezultojë pastaj më shpërbërjen efektive dhe të menjëhershme të strukturave ilegale të Serbisë, po ashtu kjo marrëveshje përfshin parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilat do ta shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke”, është shprehur Osmani.

Ajo ka thënë se është e rëndësishme që sovraniteti e integriteti territorial i vendit të ruhen në çdo proces.

“Është me rëndësi të përsëris që rendi kushtetues i Kosovës, integriteti territorial, e sovraniteti i vendit si dhe funksionaliteti i brendshëm i Kosovës, të ruhen me çdo kusht në çdo proces negociator”, ka deklaruar Osmani.

Presidentja ka thënë se Kosova do të vazhdojë të angazhohet në dialog me përkushtim të plotë dhe më qasje konstruktive, siç sipas saj, “ka bërë gjatë gjithë këtij procesi e sidomos tani duke kuptuar momentumin e rëndësishëm që paraqet takimi në Ohër”.

“Vizita e Escobarit sot, krahas angazhimit disamujor nga Kosova dhe partnerët ndërkombëtarë, rikonfirmon përkushtimin tonë të përbashkët për të bërë progres në dialog”, është shprehur Osmani.

Të ngjashme