Osmani: Ende pa u bërë 24 orë, Serbia nuk e respektoi marrëveshjen

Prishtinë | 22 Mar 2023 | 12:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova nuk do të heq dorë nga marrëveshja bazë, përkundër se Serbia po vazhdon avazin e vjetër duke mos i respektuar marrëveshjet e arritura në dialog, duke iu referuar deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se nuk do ta lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, raporton Ekonomia Online.

Gjatë vizitës që ka bërë të mërkurën në Klinikën e Gjinekologjisë, Osmani ka thënë se pala serbe vazhdon të mos e respektojë asnjë marrëveshje e se kjo tregoi edhe një herë që dialogu nuk ka asnjë vlerë për të.

E para e shtetit, duke përmendur nen për nen, ka thënë se të gjitha do të mbesin në fuqi.

“Serbia akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, siç ndodhi edhe në shkurt, po ndodh edhe në mars, tregoi atë që dialogu nuk ka asnjë vlerë për të, as politike e as juridike. Rrjedhimisht e njoftoi bashkësinë ndërkombëtare që nuk do të zbatojë ato të cilat qartë dalin nga marrëveshja bazë dhe aneksi”.

“Teksti i marrëveshjes bazë mbetet si i tillë dhe nuk ndryshohet, rrjedhimisht akoma neni 4 i asaj marrëveshje i cili e obligon Serbinë që mos ta kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në asnjë organizata, mbetet në fuqi”, ka thënë Osmani.

Sipas nenit 4 të Planit evropian, palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Gjithashtu, Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Presidenti serb Vuçiq të martën ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme. Megjithatë, ai ka thënë se nuk do ta lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, duke kundërshtuar qartazi nenin 4 të marrëveshjes për të cilën ai thotë se është ligjërisht e obligueshme.

Tutje, Osmani tha se mungon pajtimi nga ana e Serbisë, që është kriteri bazë i Konventës së Vjenës, teksa për mos respektimin e marrëveshjes nga Serbia, ajo tha se shpreson se do të ketë ndëshkim.

“Traktati i Vjenës e kërkon një gjë qartë, që është dakordimi apo pajtimi i thënë në mënyrë të qartë nga të dyja palët. Duhet të trajtohet dhe të thuhet në mënyrë të qartë, nuk mundet Borell të pajtohet në emër të Vuçiqit, kur Vuçiqi del dhe thotë haptazi se nuk po pajtohet me së paku gjysmën e neneve të kësaj marrëveshjeje”.

Kriteri bazë i Konventës së Vjenës, i cili është pajtimi, po mungon në këtë rast nga ana e Serbisë dhe tani mendoj që të gjitha përpjekje dhe presioni i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë të Vuçiqi. Shpresoj shumë që do të ketë ndëshkim për Serbinë”, tha ajo.

Të ngjashme