Osmani: Ideja e tmerrshme e shkëmbimit të territoreve mund të kthehet

Prishtinë | 16 Dhj 2020 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka falënderuar presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, që ka qenë me qëndrim të prerë ndaj idesë së shkëmbimit të territoreve, që e ka quajtur ide të tmerrshme.

Por, Osmani ka thënë se duhet një zë i fuqishëm nga Shqipëria, pasi kjo ide mund të kthehet në të ardhmen.

“E kam falënderuar presidentin Meta për qëndrimin e tij të prerë kundër idesë së tmerrshme dhe aventurës së rrezikshme për ndryshim të kufijve. Sado të mendohet që është ide e vdekur, pas një kohe mund të kthehet kjo ide. Është e nevojshme të kundërshtojmë këtë ide. Kjo ide jo vetëm që e destabilizon gjithë rajonin, por thjeshtë e shpërblen një vend si Serbia, që ka kryer gjenocid, me territor”, ka thënë Osmani në konferencë për media.

Ajo ka bërë kërkesë që Parlamenti i Shqipërisë të miratojë një rezolutë në lidhje me gjenocidin nga Serbia të kryer në Kosovë.

“Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën që dënon gjenocidin serb në Kosovë. Kuvendi jonë e ka miratuar. Është krejtësisht e natyrshme që vendi i dytë të jetë Shqipëria”, theksoi ajo.

Ajo po ashtu ka treguar se është diskutuar edhe për çështjen e pastrimit etnik të heshtur në Luginën e Preshevës nga ana e autoriteteve serbe, me pasivizimin e adresave.

Meta tha se së bashku me Osmanin vlerësuan mundësitë që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunimin mes dy vendeve, veçanërisht mobilizimit të partneritetit strategjik, që të jemi një shembull sa i takon standardeve të demokracisë dhe përparimit të integrimit Europian.

“Vullnetin për të forcuar bashkëpunimin për çështjet me jetike për vende, qytetarët, por edhe në rrafshin rajonal dhe më gjerë. Vlerësuam mundësitë që e bëjnë edhe më konkret bashkëpunimin mes dy vendeve veçanërisht mobilizimit të partneritetit strategjik që të jemi një shembull sa i takon standardeve të demokracisë dhe përparimit të integrimit Europian. Jemi të bindur në legjitimitetin e plotë kombëtar të Kosovës, por edhe për faktin se Kosova sa më parë të jetë anëtare e Europës i shërben rajonit dhe vendeve tona”, tha Meta.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme