Osmani: Kosova vendos marrëdhënie diplomatike me Bahamasin, hap i ri në forcimin ndërkombëtar

Prishtinë | 20 Dhj 2025 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Komonuelthin e Bahamas, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Osmani ka njoftuar se përveç aktit të njohjes, në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, është nënshkruar edhe Marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, në prani të kryeministrit të Bahamas, Philip Davis.

“Kosova ecën përpara duke fituar miq. Përveç aktit të njohjes, dje në Nassau, kryeqytetin e Komonuelthit të Bahamas, së bashku me Kryeministrin Philip Davis, nënshkruam edhe Marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar se ky akt forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe zgjeron rrethin e shteteve mike që mbështesin vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

“Ky akt forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe zgjeron rrethin e shteteve tona mike që besojnë në vlerat e lirisë, sovranitetit dhe bashkëpunimit”, ka deklaruar presidentja.

Osmani ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar ndaj ndërtimit të partneriteteve të sinqerta në arenën ndërkombëtare.

“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj partneriteteve të sinqerta, në shërbim të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”, ka shkruar ajo.

Të ngjashme