Osmani kundër Asociacionit: Kosova s’mund të krijojë etnitete monoetnike, do ta zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë | 07 Sht 2022 | 17:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pasi sipas saj, ajo marrëveshje është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Osmani tha se Kosova në dialogun me Serbinë i ka zbatuar 99% të marrëveshjeve dhe është vetëm Asociacioni që s’është zbatuar për arsye kushtetuese, teksa shtoi se Serbia ka listë të gjatë të marrëveshjeve që s’i ka zbatuar.

“Gjykata Kushtetuese i ka gjetur 23 shkelje të kushtetutës në atë marrëveshje. Në sistemin tonë juridik, marrëveshjet e tilla s’janë asnjëherë mbi Kushtetutën, andaj ajo çka mund të them unë si presidente e Kosovës është se ne do ta zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, është shprehur Osmani.

Tutje, ajo tha se Kosova s’mund të krijojë etnitete monoetnike, përderisa sipas saj, bazamenti mbi të cilin është ndërtuar Kushtetuta e Kosovës është multietniciteti.

“Po ashtu, nuk mund të shtyjmë përpara zgjidhje të shekullit të kaluar të cilat i ndajnë njerëzit, por qëllimi ynë është që të gjithë njerëzit të integrohen, të jetojnë bashkë dhe prandaj si Kosovë jemi të përkushtuar të bëjmë çmos që të gjithë qytetarët tanë të ndihen të barabartë”, është shprehur Osmani.

Deklarata e Pahor për Asociacionin: Përderisa nuk ka propozime nga palët, vlen marrëveshja e arritur

Në konferencën për shtyp, presidenti slloven, Borut Pahor, foli për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili sipas tij, duhet të themelohet mbi parimin fondamental se “marrëveshjet duhet të mbahen”.

Ky ishte dallimi që la gjurmë më shumë në konferencën e përbashkët për media, mbajtur në Prishtinë, ku Pahor erdhi në kuadër të organizimit të Samitit të Bërdo Brijonit që do mbahet në Slloveni.

Pahor nuk hezitoi ta thotë se mes tij e Osmanit “ka edhe dallime dhe një prej tyre është nevoja e implementimit të marrëveshjeve të arriturave në Bruksel, si ajo e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Pahir u shpreh se e sheh si rrugëtim për përforcim e besimit implementimin e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë krijimin e Asociacionit.

Ai shtoi se i është thënë presidentes Osmanit që të gjendet një zgjidhje që të arrihet kjo marrëveshje, meqë nuk ka propozime nga palët atëherë vlen kjo marrëveshje për asociacionin.

“Edhe në Beograd kam thënë, edhe herën e kaluar këtu, unë e shoh si rrugëtim për përforcimin e besimit që të implementohen marrëveshjet e arritura”.

“Marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit kishte po ashtu për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Unë i kam thënë edhe Osmanit që të gjendet një zgjidhje që të arrihet kjo marrëveshje. Nuk e di nëse ka alternativa, por derisa nuk ka propozime nga palët, vlen marrëveshja e arritur më parë”, ka thënë ai.

Por presidentja e Kosovës tha se ajo marrëveshje s’mund të jetë mbi Kushtetutën e Kosovës e kjo kushtetutë e nxjerr në 23 vende jashtë frymës së saj.

“Do të doja të dëgjoja më shpesh nga partnerët dhe aleatët tanë në Bashkimin Evropian listën e gjatë të marrëveshjeve të cilat nuk i ka zbatuar Serbia. Është aq e gjatë, prandaj edhe unë nuk do të ju marrë juve kohë t’i numëroj të gjitha, sepse do të mbesim deri vonë”.

Megjithatë, të njëra u ndal. “Dua ta përmend një në veçanti”, tha, “sepse lidhet edhe me vetë vlerat mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian; ai është sundimi i ligjit”.

“Serbia në vitin 2013 ka nënshkruar obligimin që t’i zhbëjë të gjitha strukturat ilegale kriminale që i ka ndërtuar në Kosovë. Ajo, jo vetëm që nuk e ka bërë këtë. Jo vetëm që nuk i ka zhbërë strukturat ilegale, udhëheqësit e të cilave sot janë në listën e zezë të SHBA-ve. Por, përkundrazi, vazhdon t’i fuqizojë ato, vazhdon t’i financojë ato, vazhdon t’i urdhërojë ato që ta destabilizojnë Kosovën dhe tërë rajonin”.

Për të tilla marrëveshje të parealizuara, Osmani dëshiron të flasin më shumë në BE.

Se a ka Kosova ndonjë alternativë, meqë Asociacionin s’e zbaton dot, Osmani ishte e prerë: “Alternativa është Kushtetua e Kosovës”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme