Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, Avokaten e Popullit të Shqipërisë, Erinda Ballanca, Avokatin e Popullit të Maqedonisë së Veriut, Naser Zyberi dhe komisionarin për mbrojtje nga Diskriminimi, Republika e Shqipërisë, Robert Gajda.
Në takim me ta, Presidentja Osmani citohet të ketë theksuar se mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe mbrojtja nga diskriminimi i çfarëdo lloji, është prioritet absolut i të gjitha institucioneve të vendit.
“Presidentja Osmani i ka inkurajuar avokatët e popullit nga të tri shtetet që ta rrisin bashkëpunimin në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, synim i cili nuk njeh kufij”, thuhet në komunikatë për medie të Zyrës së Presidentit.
Presidentja Osmani deklaroi se besimi i qytetarëve në institucione të pavarura është bazament i demokracisë, e njëkohësisht edhe parakusht për zhvillim të vendit. Ajo poashtu tha se Institucioni i Avokatit të Popullit ka rëndësi të madhe për secilin shtet, meqë ky institucion jo vetëm që trajton ankesat e qytetarëve, por njëkohësisht edhe promovon të drejtat dhe liritë e njeriut./EkonomiaOnline/