Osmani takon delegacionin e Shoqatës së Mamive të Kosovës, premton adresim të problemeve të tyre

Prishtinë | 05 Maj 2021 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare të Mamive ka pritur një delegacion të Shoqatës së Mamive të Kosovës, të kryesuar nga kryetarja Magbule Elezi.

Në takim, kjo shoqatë e ka njoftuar Osmanin për problemet me të cilat përballet kjo fushë, duke përmendur në këtë kontekst mungesën e gjinekologeve e materniteteve në komunat e vogla, me të cilën gjë sipas tyre po rrezikohet shëndeti i grave, vajzave dhe fëmijëve.

Ato kanë kërkuar përshpejtimin e miratimit të Ligjit të ri për shëndetësi dhe kanë përmendur sfidat e përballjes me pandeminë COVID-19.

Presidentja Osmani ndërkaq ka theksuar se bashkërisht me institucionet e tjera do të përpiqen t`i adresojnë problemet në këtë sektor, posaçërisht në relacion me sfidat e materniteteve në lokalitete të vogla, dhe k ashtuar se nënat dhe fëmijët do të kenë trajtimin e duhur pikërisht në saje të punës së mamive, ndaj ka mbështetur kërkesat për përmirësimin e pozitës së gjithëmbarshme të tyre.

Më tej, ajo ka dhënë mbështetje edhe për zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mamive, sikurse edhe rritjen e numrit të tyre në institucionet shëndetësore.

Të ngjashme